Aktualitet

Humbën djalin 7 vjeçar në tragjedinë e Gërdecit, SPAK thërret kallëzuesit e Fatmir Mediut

Ata u paraqitën në strukturën e posaçme në shoqërinë e avokatit, Dorian Matlija.

11 Janar 2023, 14:32 Nga A.B
Humbën djalin 7 vjeçar në tragjedinë e Gërdecit, SPAK
Zamira Durda

TIRANË- Ditën e sotme, kanë mbërritur në SPAK kallëzuesit e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, Zamira dhe Feruzan Durda, të cilët humbën djalin 7 vjeçar nga tragjedia e Gërdecit. Ata u paraqitën në strukturën e posaçme në shoqërinë e avokatit, Dorian Matlija.

Për 'Reporttv', Zamira Durdaj tha se duhet një hetim i thellë për korrupsion pasi babëzia për para solli atë tragjedi të para 15 vite që i mori jetën 26 personave të pafajshëm dhe shkatërroi jetën e dhjetëra të tjerëve.

“Me sa informacion kam deri në këto momente për akuzë me shpërdorim e detyrës për ne kjo është një vrasje tjetër. Vetëm shpërdorim detyre nuk mund të jetë drejtësi. Kemi 26 jetë të humbura. Çështja ka për të kaluar me argumentime juridike. Unë e kam hapur vetëm me z. Mediu sepse kjo ka qenë e pezulluar. Pjesa tjetër është në dorë të hetuesve të SPAK, ende nuk i ka një hetim për korrupsion. Gjithçka ka ndodhur ka prej babëzisë për para. Korrupsioni dhe babëzia për para sollën atë fatkeqësi të madhe.  Pinca, leva dhe sqepar ishin levat e punës. Ministria kishte për detyra të na mbronte dhe jo të na vriste. Ishte urdhri i ministrit që solli të gjitha këto armatime dhe i solli në atë që nuk i kishte kushtet. Unë akuzoj të gjithë piramidën shtetërore. Aty i kanë dokumentet dhe t’i nxjerrin kush i ka firmosur. Unë do t’i vazhdoj të gjitha hapat deri në Strasburg”, tha Zamira Durda.

Ditën e djeshme u paraqit në SPAK edhe ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu. SPAK e akuzon për shpërdorim detyre lidhur me tragjedinë e rëndë që iu mori jetën disa personave ndërsa vetë ai është shprehur se nuk ka asnjë provë të re.

Më është prezantuar e njëjta akuzë. Ajo e 2009, akuzë e motivuar politikisht pa asnjë provë shtesë. Shpërdorimi i detyrës. Kam kërkuar që të pyetem që në fillim. Nuk jam pyetur për aktin e firmos ka 15 vjet. Motivimi politik është në akuzën e bërë. Nuk është urdhri i ministrit që ka bërë problem. Çdo letër që unë kam nxjerr ka qenë me referenca ushtarake dhe civile. Ajo që mu paraqit është fashikulli i dosjes së prokurorisë së Përgjithshme. Qëndrimi im është se jam i pafajshëm. Nuk e pranoj akuzën. Është sipas marrëveshjeve me Pentagonin me praktikat e demontimit me analizë ndërkombëtare”, tha për mediat, Mediu.

Ish-ministri i i Mbrojtjes akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

zamira durda fatmir mediu spak gerdeci

Sondazh

Poll