Bota

'Si lejoni të diskutohen jashtë vendit çështjet?'/ VMRO: Takimi në Tiranë për të shpëtuar karrierën e Kovaçevskit dhe Ali Ahmetit

VMRO-DPMNE pretendon se takimi në Tiranë do të zhvillohet vetëm për të shpëtuar karrierën politike të Dimitar Kovaçevskit dhe Ali Ahmetit.

10 Janar 2023, 12:22 Nga k.m.
'Si lejoni të diskutohen jashtë vendit
VMRO-DPMNE

SHKUP- Organizata e Brendshme Maqedonase Revolucionare – Partia Demokratike për Unitetin Kombëtar Maqedonas, thjeshtuar si VMRO-DPMNE ka komentuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për partitë politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sipas një reagimi zyrtar, VMRO-DPMNE pretendon se takimi në Tiranë do të zhvillohet vetëm për të shpëtuar karrierën politike të Dimitar Kovaçevskit dhe Ali Ahmetit. Madje akuzojnë kryeministrin se po lejon që çështjet kombëtare të diskutohen jashtë vendit.

“A është takimi në Tiranë me kërkesë të Kovaçevskit? Cili do të jetë rezultati i takimit në Tiranë, a do t’i mësojë Ahmeti në Tiranë axhendën e gjelbër apo do t’i sjellë një platformë të dytë të Tiranës Kovaçevskit, i cili për të shpëtuar veten duhet ta pranojë atë? Marrëveshja e vetme që duhet të jetë mes të gjitha partive politike në Maqedoni, jo në Tiranë, është bashkimi kundër krimit të LSD-së dhe BDI-së dhe një marrëveshje për zgjedhjet që të vendosë populli,”- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE.

Kryeministri Edi Rama ka ftuar sonte në Tiranë, lideret politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Ftesa u është drejtuar të gjithë kryetarëve të partive politike që janë të përfaqesuara në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe konkretisht, Bashkimit Demokratik per Integrim, Aleanca për Shqiptaret, Alternativa, Lëvizja Besa dhe Partia Demokratike Shqiptare. Deri më tani, zyrarisht nuk dihet se cili është qëllimi i këtij takimi, por mendohet se ka lidhje me ndryshimet kushtetuese që ka kërkuar Bullgaria për Maqedoninë e Veriut. Por çështja ka nisur përplasje në Shkup, pasi opozita maqedonase ka deklaruar se nuk do ta votojë ndryshime të tilla dhe kërkon zgjedhje të parakohshme në maj të këtij viti.

vmro-dpmne rama takim partite maqedonase

Sondazh

Poll