Bota

Britani/ Dikur mësues i Boris Johnson, 76-vjeçari akuzohet për abuzim seksual në shkollë

David Price do të përballet me gjyqin në Afrikën e Jugut, ku dha mësim pasi u largua nga Anglia në vitet 1980.

9 Janar 2023, 12:12 Nga l.S
Britani/ Dikur mësues i Boris Johnson, 76-vjeçari akuzohet për
Foto Ilustruese

BRITANI- Një mësues në pension është akuzuar për abuzim seksual ndaj një fëmije pasi një hetim i BBC-së zbuloi dhjetëra akuza për kohën kur ai punonte në një shkollë britanike.

David Price do të përballet me gjyqin në Afrikën e Jugut, ku dha mësim pasi u largua nga Anglia në vitet 1980. Një ish-nxënës në Afrikën e Jugut kontaktoi policinë në dhjetor pasi mësoi për akuzat e mëparshme në serinë e Radio 4, In Dark Corners, ndërsa Price, 76 vjeç, i mohon akuzat.

Gazetari Alex Renton, ka folur me gjashtë burra që pretendojnë se janë sulmuar seksualisht nga mësuesi në Ashdown House në East Sussex në vitet 1970, ndaj të cilit rëndojnë gjithsej 42 akuza.

Shkolla prestigjioze e konviktit ishte e njohur për përgatitjen e djemve për Kolegjin Eton. Ish nxënës në atë shkollë janë edhe ish-kryeministrin Boris Johnson dhe kushëririn e mbretit Charles, David Linley, tani Earl of Snowdon, të cilët të dy u mësuan nga Price. Pas kthimit në vendlindjen e tij Afrikën e Jugut, Price vazhdoi të jepte mësim. Ai u arrestua në vend nga policia britanike në vitin 2019 dhe që atëherë ka luftuar kundër ekstradimit në Britani.

Akuzat e fundit lidhen me kohën e tij në një shkollë prestigjioze për djem në Cape Town në vitet 1980. Një prej akuzuesëve pretendon se u përqafua për herë të parë nga mësuesi në vitin 1985 në moshën 10-vjeçare ndërsa bënte dush në Shkollën Përgatitore të Provincës Perëndimore në Cape Town.

“Që nga ajo ditë ai sajonte situata për të më lënë vetëm,” tha ai.

Ai tha se ishte detyruar të prekte organet gjenitale të mësuesit.

“Unë nuk e dija se çfarë po ndodhte. Kështu që e bëra këtë dhe ai vazhdonte. Dhe më kujtohet që sapo doja të largohesha ai më thonte: 'Dëgjo, padyshim që nuk mund t’i thuash askujt, ata nuk do të të besojnë’.”

Price u largua nga shkolla në dhjetor 1987. Një zëdhënëse tha se shkolla nuk ka marrë kurrë ndonjë ankesë se mësuesi ka sulmuar seksualisht fëmijët. Karriera e tij si mësues vazhdoi, duke përfshirë disa vite në një shkollë për fëmijët që nuk dëgjojnë.

Disa ish-nxënës në Ashdown House, të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre në një gjykatë britanike, e mirëpritën veprimin e prokurorëve afrikano-jugor.

"Ndoshta shpresa jonë më e mirë është që Afrika e Jugut ta sjellë atë para drejtësisë brenda Afrikës së Jugut sepse ekstradimi nuk po funksionon," tha një nga ish-nxënësit.

Ashdown House u mbyll në vitin 2020. Prep School Trust, i cili mori përsipër shkollën në 2009, tha se kishte bashkëpunuar plotësisht me të gjitha hetimet në lidhje me akuzat dhe kishte "punuar pa u lodhur për të siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin më në shkollë".

britani

Sondazh

Poll