Aktualitet

VIDEO- U arrestua për mashtrim, ish-drejtoresha e AZHBR-së lihet në burg, avokati: Nuk i mohoi pagesat që ka marrë

Me pranga në duar dhe kapuç në kokë, ish-zyrtarja hyri në ambientet e Gjykatës.

30 Dhjetor 2022, 10:12 Nga A.B
VIDEO- U arrestua për mashtrim, ish-drejtoresha e AZHBR-së lihet
Policia

KORÇË- Ish-drejtoresha e Ministrisë së Turizmit, Viola Sterjo është lënë ditën e sotme në masën e sigurisë 'arrest me burg'. Ajo mbërriti në ambientet e gjykatës me pranga në duar dhe kapuç në kokë.

Avokati i Vjola Sterjos, drejtoreshës së Mjedisit në Bashkinë e Tiranës ka folur pas seancës së mbajtur ditën e sotme ku Sterjo u la në burg nga gjykata me akuzën e mashtrimit. Avokati u shpreh se klientja e tij nuk i ka mohuar pagesat që ka marrë nga denoncuesit që kanë ngritur padi ndaj saj.

“Masa për Vjola Sterjon ka qenë e vendosur nga gjykata nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të mashtrimit. Sot është realizuar marrja në pyetje. Në këtë seancë e përfaqësuar prej meje. Ajo nuk mohon asgjë në marrëdhënie me personat që kanë bërë kallëzim. Pretendohet për një marrëdhënie juridike civile duke marrë përsipër të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për të aplikuar për projekte dhe grante në fushën e turizmit.

Bëhet fjalë në zonat turistike. Duke qenë e punësuar në disa studio part time si konsulente ka hyrë në këto marrëdhënie me qytetarët. Janë përgatitur dokumentacione dhe dosje, janë bërë aplikime për leje zhvillime dhe ndërtimi por që nuk janë finalizuar. Kjo ka krijuar edhe lodhjen e qytetarëve që kanë kërkuar ndërprerjen e marrëdhënies juridike me këtë shtetase, duke kërkuar edhe kthimin e pagesave. A qëndrojnë ato vlera nuk mund ta them dot. Ka pasur një marrëdhënie komunikimi mes tyre. Ata kërkojnë ndërprerjen e marrëdhënies së bashkëpunimit por nga ana tjetër janë kryer investime për përgatitjen e projekteve. Ata i janë servirur prokurorisë. Çështja ka nevojë për verifikime të thelluara. Ajo që ne kemi kërkuar sot në raport edhe me qëndrimin që ne kemi mbajtur është për t’i dhënë mundësinë që të jetë bashkëpunuese me organin e prokurorisë. Mbajtja e saj në burg ia heq këtë mundësi dhe unë këtë kam insistuar që t’i jepet mundësia në një masë tjetër që të realizojë mbrojtjen e saj. Bëhet fjalë për një grua nënë e dy fëmijëve, e vërtetuar me probleme shëndetësore”, deklaroi ai.

Sterjo u arrestua tre ditë më parë pasi u denoncua nga disa qytetarë nga Korça dhe Pogradeci të cilëve iu kishte marrë shuma të mëdha parash, duke iu premtuar se do të ndikonte për të përfituar financime nga AZHBR. 

Dosja.al zbardhi dhe rastet e mashtrimeve që kishte kryer drejtoresha-patronazhiste si dhe shumat e mëdha të parave që kishte marrë si ryshfet në këmbim të shërbimeve që i kishte premtuar. Sterjo dyshohet se ka mashtruar 5 subjekte, duke u marrë shuma që variojnë nga 20 mijë euro deri në 90 mijë euro. Subjekteve, ish-drejtoresha u kishte premtuar subjekteve se do të ndërhyjë për të fituar projekte nga AZHBR-ja (Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural). 

Denoncimet ndaj saj nisën më 12 Dhjetor, kur një prej qytetarëve që kishte paguar ryshfet, por që nuk rezultonte si aplikant në AZHBR iu drejtua policisë së Korçës për të bërë denoncim. 

Një qytetar nga Pogradeci gjithashtu ka bërë denoncim se i ka dhënë Viola Sterjos shuma të ndryshme, 9 mijë si fillim dhe më pas 28 mije euro për të ndërhyrë tek AZHBR që të përfitonte një grant prej 1. 2 milion euro për të ndërtuar një bujtinë.

Një tjetër qyetar nga Korça sipas Prokurorise se Korçës i ka dhënë Sterjos 160.000 euro pasi ajo i ka premtuar një grant prej 2.2 milionë euro. Pas disa muajsh denoncuesi i cili nuk e kishte perfituar grantin i ka kërkuar Sterjos tja kthente shumën e lekëve. Por ajo i kishte thënë, se granti nga 2.2 milion euro do të shkonte në 4.5 milion euro.

Në një tjetër rast, kur një qytetar i kishte kërkuar 90 mijë eurot që ia kishte dhënë ryshfet, Sterjo ishte detyruar të nënshkruante një kontratë noteriale, ku i njihte detyrimin dhe angazhohej t’ia kthente paratë brenda 6 muajsh. Në rast të kundërt i linte si garanci banesën e vjehrrit.

viola sterjo arrestohet viola sterjo

Sondazh

Poll