Aktualitet

UJI ME ACID? Autoritetet mbyllin hotelin në Shkodër, por AKU nuk merr asnjë masë për kompaninë e ujit, çfarë po ndodh me kolitë e shpërndara

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i drejtuar nga Jeta Dedja do të duhet të paktën të bënte së pari një njoftim për një ngjarje si kjo, me një rrezik të pallogaritshëm mbi popullatën e më pas të ndalonte përkohësisht shitjen e ujit nga ky subjekt, deri në kontrollimin e plotë të kolive të shpërndara nga kjo kompani në Tiranë dhe jo vetëm.

29 Dhjetor 2022, 13:36 Nga f.g
UJI ME ACID? Autoritetet mbyllin hotelin në Shkodër, por AKU nuk merr
Foto ilustruese

TIRANE- Një ngjarje tejet e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Shkodrës, ku rreth orës 23:30 e mbrëmjes, një grua bashkë me të birin janë ndjerë keq pasi kanë konsumuar ujin nga një shishe. Uji është i një prej kompanive më të njohura në treg, që dominon tregun e shpërndarjes për familjet dhe biznesin.

Por pavarësisht se ngjarja është në kufijtë e të pabesueshmes, ku Dosja mësoi se dy të prekurit e parë ishin nënë e bir e më pas kamarieri, asnjë masë nuk është marrë deri më tani nga autoritetet për kompaninë e ujit. Hotel Chicago që ndodhet në qendër të Shkodrës është mbyllur e po ashtu edhe lokali ku ndodhi ngjarja. Por pse jo kompania e ujit?

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i drejtuar nga Jeta Dedja do të duhet të paktën të bënte së pari një njoftim për një ngjarje si kjo, me një rrezik të pallogaritshëm mbi popullatën e më pas të ndalonte përkohësisht shitjen e ujit nga ky subjekt, deri në kontrollimin e plotë të kolive të shpërndara nga kjo kompani në Tiranë dhe jo vetëm.

Nëse hoteli ku ngjarja ndodhi u mbyll atëherë pse po veprohet me një standart tjetër për kompaninë që ka edhe detyrimin kryesor të garantojë cilësinë e produktit që shpërndan? Kush qëndron pas kulisave të tregut dhe a ka një përgjegjësi AKU, si institucioni kryesor që duhet të japë garanci për sigurinë e ujit që shpërndahet në popullatë?

Çfarë ndodhi dje në Shkodër? Një grua nga Malësia e Madhe dhe djali i saj 14 vjeçar u helmuan nga uji një porositën gjatë darkës në hotel Chicago në qytetin e Shkodrës. Të dy pinë ujë nga shishja dhe thirrën kamarierin. Ai iu ka treguar se ujin e ka marrë siç ishte shishja në arkë e pahapur dhe më pas ka pirë edhe ai për t'ju treguar se nuk kishte asnjë problem dhe uji ishte i ambalazhuar. Por pas pak sekondave edhe ai është ndjerë keq dhe të tre kanë fryrje të fytyrës hematoma e prishje të gjuhës. Ata ndodhen në spitalin e Shkodrës ku po marrin trajtim të specializuar pasi ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. /Dosja.al

helmimi ne shkoder hotel chicago

Sondazh

Poll