Politike

Sulmi ndaj bankave/ Peleshi: Garanci dhe mure 100% të sigurta nuk ka! Njerëzit të shohin çfarë hapin në e-mailin e punës dhe atë personal

Sipas tij, grupet e reagimit të shpejtë të NATO-s në raste sulmesh kanë qenë pranë vendit në rastin e sulmeve të ndodhura në muajt korrik dhe shtator.

27 Dhjetor 2022, 13:16 Nga F.M
Sulmi ndaj bankave/ Peleshi: Garanci dhe mure 100% të sigurta nuk ka!
Niko Peleshi

TIRANË- Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thotë se nuk ka asnjë sistem të sigurtë e të mbrojtur në masën 100% para sulmeve kibernetike. Pas mbledhjes së qeverisë, Peleshi, i pyetur në lidhje me sigurinë e sistemeve bankare, tha se Shqipëria nuk është vetëm dhe se mbrohet nga aleatë të fuqishëm. Sipas tij, grupet e reagimit të shpejtë të NATO-s në raste sulmesh kanë qenë pranë vendit në rastin e sulmeve të ndodhura në muajt korrik dhe shtator. Peleshi shtoi se 90% e sulmeve kibernetike kanë sukses për shkak të njerëzve që nuk tregojnë sukses në lidhje me materialet që hapin, qoftë në e-mailin e punës apo edhe atë personal. 

Pjesë nga prononcimi:

Pyetje: Ministër, qytetarët sot, më shumë se sa të dinë sa do të paguhet AKSHI, duan të dinë, a janë të sigurta sistemet bankare, a janë të sigurta paratë tona, a mund të na thotë ministria garancinë dhe përshkrimin se sa serioze është situata dhe sa i sulmuar është sistemi bankar?

Niko Peleshi: Pavarësisht se Ministria e Mbrojtjes nuk është institucioni përkatës për këtë gjë, unë nuk dua t'i iki pyetjes tuaj. Unë jam anëtar i kabinetit qeveritar dhe i komitetit për mbrojtjen kibernetike dhe mund të konfirmoj dhe mund ta them që askush nuk ka një siguri 100%. Asnjë institucion, publik apo privat. Garanci dhe mure 100% të sigurta nuk ka, por mund të them ama, siç thotë populli, e keqja nuk vjen vetëm për keq, por edhe për mirë, ne kemi rritur shumë vigjilencën dhe komunikimin. Jemi në komunikim të vazhdueshmë edhe me operatorë privatë, pasi duhet thënë që me statistikë, më shumë se 90% e sulmeve kibernetike kanë sukses për shkak të mungesës së vëmendjes, të faktorit njeri. Nëse jemi më të vëmendshëm për atë çfarë mund të hapim apo jo në e-mailin e punës apo personal, arrijmë të shmangim 90% të sulmeve. Jemi në bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët ndërkombëtarë, kemi marrë bashkëpunim, qoftë në mbështetje, qoftë në ekspertizë, në ato që quhen, në terminologjinë e NATO-s, grupet e reagimit të shpejtë në raste sulmesh. Ne nuk jemi të vetëm, jemi në mes të një aleance të madhe, kemi në krah partnerë shumë të fortë, që na janë gjendur pranë, në sulmin e korrikut dhe shtatorit, gjë që ka bërë që ai sulm të ishte i pasuksesshëm në kuptimin e qëllimit që ai kishte, për të fshirë të dhënat tona. Edhe në të ardhmen do të mbështetemi nga ky partneritet, nuk është një luftë që fitohet njëherë e mirë, është një luftë e vazhdueshme dhe duhet të jemi vigjilentë, që nga njerëzit e thjeshtë, bizneset e vogla e të mëdha.

 

niko peleshi

Sondazh

Poll