Aktualitet

Grabitën 3 qytetarë në sheshin Skënderbej, 2 të arrestuar, nën hetim një 14-vjeçar

Blutë e Komisariatit Nr. 3, në operacionin e koduar “Saga”, arrestuan në flagrancë 2 persona të identifikuar si: K. B., 20 vjeç dhe R. B., 16 vjeç, të dy banues në Tiranë.

24 Dhjetor 2022, 12:02 Nga k.m.
Grabitën 3 qytetarë në sheshin Skënderbej, 2 të
Foto ilustruese

TIRANË- Dy djem të rinj janë vënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi kishin nisur të bëheshin shqetësim për qytetarët që dalin për t’u argëtuar në atmosferën festive të krijuar në sheshin "Skënderbej". Blutë e Komisariatit Nr. 3, në operacionin e koduar “Saga”, arrestuan në flagrancë 2 persona të identifikuar si: K. B., 20 vjeç dhe R. B., 16 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ata i kërcënuar me mjete personat që po i vidhnin. 

NJOFTIMI I PLOTË:

Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Saga”. Duke i kërcënuar me mjet prerës (thikë) dhe me pistoletë false, u vodhën qytetarëve të ndryshëm, në sheshin “Skënderbej”, sende personale, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Procedohet penalisht edhe një 14-vjeçar, i dyshuar i përfshirë në këto raste. Sekuestrohen sendet e kundërligjshme me të cilat këta shtetas kryen vjedhjet, si dhe sende me vlerë, të vjedhura.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, si dhe si rezultat i ndjekjes së menjëhershme të informacioneve të marra në rrugë operative, për raste vjedhjesh në sheshin "Skënderbej", kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Saga”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 20 vjeç dhe R. B., 16 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për një 14-vjeçar.

Shërbimet e Policisë i kanë arrestuar në flagrancë këta shtetas, në sheshin "Skënderbej", pasi duke i kërcënuar me mjete prerëse (thika) dhe me një pistoletë false, u kishin vjedhur sendet personale, 3 shtetasve, gjatë ditëve të fundit.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një pistoletë false, 2 mjete prerëse (thika), sende me vlerë, të dyshuara të vjedhura dhe 3 aparate celulare. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

operacioni saga

Sondazh

Poll