Bota

Misteret e fshehura në Notre Dame; Gjendet trupi me kafkën e sharruar brenda një arkivoli

Sipas gazetares Kim Willher në The Guardian, duke raportuar nga Parisi, njëri është një fisnik i ri dhe tjetri një prift elitar. Një pllakë bronzi në arkivolin e priftit konfirmon se trupi i përket një udhëheqësi fetar të kaluar të Notre Dame, i quajtur Antoine de la Porte, i cili vdiq në 1710 në moshën 83-vjeçare.

15 Dhjetor 2022, 10:23 Nga k.m.
Misteret e fshehura në Notre Dame; Gjendet trupi me kafkën e sharruar
Pamje nga kafka

FRANCË- Zjarri që pothuajse shkatërroi Katedralen Notre Dame në 2019 ka çuar në zbulimin e dy arkivoleve misterioze prej plumbi të fshehura nën dyshemenë e saj. Sarkofagët u zbuluan në fillim të këtij viti gjatë një gërmimi nga Instituti Kombëtar Arkeologjik i Francës, Inrap, por vetëm së fundmi u njoftua se çfarë u gjet brenda.

Nga hiri dhe rrënojat, ekipi tani ka nxjerrë në dritë dy kufoma. Sipas gazetares Kim Willher në The Guardian, duke raportuar nga Parisi, njëri është një fisnik i ri dhe tjetri një prift elitar. Një pllakë bronzi në arkivolin e priftit konfirmon se trupi i përket një udhëheqësi fetar të kaluar të Notre Dame, i quajtur Antoine de la Porte, i cili vdiq në 1710 në moshën 83-vjeçare.

Për shkak se de la Porte ndihmoi në rizhvillimin e katedrales së famshme, ai ishte një figurë mjaft e respektuar në kohën e tij. Madje është një pikturë e tij e varur në Luvër. Pronari i trupit tjetër është më shumë një mister. Burri i paidentifikuar duket se ka vdekur midis moshës 25 dhe 40 vjeç, dhe ai ishte padyshim i rëndësishëm duke pasur parasysh varrimin e tij.

Eshtrat e tij flasin për një jetë të kaluar mbi kalë dhe kështu studiuesit i kanë vënë nofkën "Le Cavalier", që do të thotë kalorësi. Eric Crubézy, një antropolog biologjik në Universitetin e Toulouse III në Francë, ishte atje për të mbikëqyrur hapjen e arkivoleve.

Më pas, ai i tha Live Science se trupi i 'Le Cavalier' ishte në gjendje të keqe të përgjithshme shëndetësore. Shumica e dhëmbëve të tij kishin humbur dhe kockat e tij tregonin shenja lëndimi. Mënyra se si ishte prerë kafka e tij dhe si i ishte hapur gjoksi për t'u balsamosur ishte me sa duket një praktikë e zakonshme në varrimin e fisnikërisë.

Disa aspekte të skeletit të burrit kanë bërë që Crubézy të dyshojë se ai mund të kishte vdekur edhe nga meningjiti kronik, i shkaktuar nga tuberkulozi.

"Ai do të kishte pasur një fund të vështirë," u tha Crubézy gazetarëve në një konferencë shtypi, sipas The Guardian.

Në vdekje, trupi i tij pothuajse është derdhur në arkivol. Nuk ka mbetur asnjë ind organik. Ai është spërkatur vetëm me mbetjet e gjetheve dhe luleve, me të cilat u varros. Në krahasim, de la Porte dukej shumë më i shëndetshëm kur vdiq. Edhe në moshën 83-vjeçare, dhëmbët e kryepriftit duket se kanë qenë në gjendje të shkëlqyer.

E vetmja shenjë e vërtetë e sëmundjes që binte në sy në trupin e plakut ishte gishti i madh i këmbës. Crubézy i tha Live Science se dukej sikur ishte prekur nga përdhesi. Kjo është një sëmundje artritike që shpesh lidhet me anëtarët e familjes mbretërore që e teprojnë me mishin, ushqimet e detit ose alkoolin.

Studiuesit në Inrap planifikojnë të analizojnë më tej dy trupat për të kuptuar më mirë se kush ishin këta burra dhe si jetuan vite më parë.

Por sado interesante që këta njerëz mund të jenë për shkencëtarët dhe historianët, në Francë, e drejta e tyre si njerëz është e para. Sipas ligjit francez, trupat e gjetur në arkivole nuk janë objekte arkeologjike . Ato janë mbetje njerëzore dhe duhen trajtuar me respekt. Ekipi në Inrap planifikon t'i respektojë këto rregulla dhe kur të përfundojë puna e tyre e kujdesshme me trupat, ata do të vendosen në një vend të qetë.

gjendet nje sarkofag ne notre dame

Sondazh

Poll