Aktualitet

Sekuestrohen 2 mln euro pasuri, në emër të bashkëshortes së Admir Muratajt, u vra në grabitjen e Rinasit

Prokuroria pretendon se pasuritë e vëna nën sekuestro në kuadër të operacionit "Relative", janë vënë përmes të ardhurave të përfituara nga veprimtaritë kriminale të kryera nga bashkëshorti i 47-vjeçares, i ndjeri Murataj. 

12 Dhjetor 2022, 16:23 Nga F.M
Sekuestrohen 2 mln euro pasuri, në emër të bashkëshortes
Albana Alidhima dhe Admir Murataj

TIRANË- Janë sekuestruar 2 milionë euro pasuri, në pronësi të Albana Alidhimës (Murataj), gruas së Admir Muratajt, i cili mbeti i vrarë në aeroportin e Rinasit, teksa tentonte të kryente grabitjen e radhës. Në njoftimin zyrtar, bëhet me doje se janë sekuestruar: 1 apartament dhe 2 garazhe, në rrugën "Mihal Grameno" në Tiranë, 1 apartament në Sarandë dhe një sipërfaqe toke (pemëtore), në Mjull Bathore. Prokuroria pretendon se pasuritë e vëna nën sekuestro në kuadër të operacionit "Relative", janë vënë përmes të ardhurave të përfituara nga veprimtaritë kriminale të kryera nga bashkëshorti i 47-vjeçares, i ndjeri Murataj. 

Njoftimi i prokurorisë Tiranë

Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga aktivitetet kriminale. Finalizohet operacioni policor i koduar "Relative". Sekuestrohen pasuri të paluajtshme, me vlerë rreth 2 milionë euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale. Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, referuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar "Relative". Në zbatim të këtij procedimi, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të paluajtshme në ngarkim të shtetases A. A. (M)., 47 vjeçe, banuese në Tiranë Në zbatim të këtij vendimi, u bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave arrin rreth 2 milionë euro, konkretisht: 1 apartament dhe 2 garazhe, në rrugën "Mihal Grameno", Tiranë, 1 apartament në Sarandë dhe një sipërfaqe toke (pemëtore), në Mjull Bathore. Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga bashkëshorti i shtetases A. A.(M.), shtetasi A. M., i cili ka mbetur i vrarë gjatë grabitjes së një shume të konsiderueshme parash, në Rinas, në vitin 2019. Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar pasuri të tjera që kjo shtetase ose familjarët e saj mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

Admir Murataj ka pasur mbi 10 identitete por identiteti i tij i vërtetë është Admir Nikaj. Ai ishte nga Tropoja. Admir Murataj mbeti i vrarë në aeroportin e Rinasit, gjatës grabitjes spektakolare të ndodhur mesditën e 9 prillit të vitit 2019, ku u morën 4.6 milionë euro. Grabitja u krye me një furgon pa targa mbi të cilin shkruhej “Hetimi Tatimor”, por gjatë largimit me paratë, grupi u përplas me efektivët e policisë dhe Murataj mbeti i vrarë. Në këtë grabitje, Murataj kishte zgjedhur të dukej si një efektiv policie nga Fushë Kruja dhe përmes një maskimi të posaçëm, ishte shndërruar në një qeros me syze të zeza dhe mjekër katrore. Deri më tani, Gjykata e Posaçme vendosi të dënonte me 122 vite burg të 7 të pandehurit, ndërsa në kërkim vijon të mbetet Talo Çela. Paratë nuk janë gjetur ende. 

prokuroria e tiranes admir murataj sekuestrohet pasuria e gruas se admir muratajt albana alidhima

Sondazh

Poll