Sport

Gazetari amerikan Grant Wahl vdiq në Katar gjatë ndeshjes Holandë-Argjentinë...

Mjekët iu përgjigjën me urgjencë ngjarjes dhe kryen CPR. ‘Wall Street Journal’ tha se gazetari me sa duket pësoi një atak në zemër.

10 Dhjetor 2022, 08:38 Nga DOSJA
Gazetari amerikan Grant Wahl vdiq në Katar gjatë ndeshjes

KATAR - Gazetari i njohur sportiv amerikan Grant Wahl vdiq të premten në Katar, teksa po mbulonte  çerekfinalen e Kupës së Botës, Argjentinë-Holandë në stadiumin Lusail në Doha.

Wahl, 48 vjeç, vlerësohet për ndërtimin e popullaritetit të futbollit në SHBA përmes raportimit të tij në ‘Sports Illustrated’ dhe, së fundmi, në ‘CBS Sports’. Sipas raportimeve të mediave, Wahl ishte në zonën e shtypit të stadiumit, kur u rrëzua ndërsa luhej koha shtesë në fushë. Mjekët iu përgjigjën ngjarjes dhe kryen CPR. ‘Wall Street Journal’ tha se ai me sa duket pësoi një atak në zemër.

Gruaja e Wahl, Dr. Celine Gounder, një epidemiologe e njohur dhe eksperte e sëmundjeve infektive, e cila shërbeu në grupin e punës për koronavirusin e Joe Biden, konfirmoi lajmin në Twitter. "Jam shumë mirënjohëse për mbështetjen e familjes së futbollit të bashkëshortit tim Grant Wahl dhe të kaq shumë miqve që më kanë kontaktuar sonte. Jam në tronditje të plotë,"- shkroi ajo.

Federata e Futbollit të SHBA-së bëri homazhe për punën e Wahl në promovimin e sportit në vend. “E gjithë familja e futbollit të SHBA-së është zemërthyer kur mësoi se ne kemi humbur Grant Wahl,”- thane ata. “Këtu në Shtetet e Bashkuara, pasioni i Grant për futbollin dhe angazhimi për të ngritur profilin e tij në peizazhin tonë sportiv luajti një rol të madh në nxitjen e interesit dhe respektit për lojën tonë të bukur.”

Wahl ishte ndër gazetarët sportivë më të njohur në SHBA. Në më shumë se dy dekada në ‘Sports Illustrated’, ai shkroi për rritjen e futbollit në SHBA dhe mbuloi shumë turne NCAA, Lojëra Olimpike dhe Kupa Botërore. Katari ishte Botërori i tij i tetë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price, tha se është në kontakt me zyrtarët e Katarit për të ndihmuar familjen e tij. “Ne jemi thellësisht të pikëlluar kur mësuam për vdekjen e Grant Wahl dhe i dërguam ngushëllimet tona familjes së tij, me të cilën kemi qenë në komunikim të ngushtë”,- shkroi ai në Twitter.

"Ne jemi të angazhuar me zyrtarë të lartë të Katarit për të siguruar që dëshirat e familjes së tij të përmbushen sa më shpejt që të jetë e mundur."

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll