Politike

Sulmi ndaj Berishës, VATRA: Akt burracak e i papranueshëm në një shoqëri të lirë

Po ashtu në postim thuhet se ky lloj akti burracak do të jetë gjithmonë i ndaluar në një shoqëri të lirë e demokratike.    

7 Dhjetor 2022, 08:56 Nga I.A
Sulmi ndaj Berishës, VATRA: Akt burracak e i papranueshëm në
Sali Berisha

SHBA- Federata Pan-shqiptare Vatra ka reaguar për sulmin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha ditën e djeshme në protestë. Me anë të një postimi në Facebook,Vatra shkruan se goditja ndaj Berishës ishte akt i turpshëm dhe skandaloz. Po ashtu në postim thuhet se ky lloj akti burracak do të jetë gjithmonë i ndaluar në një shoqëri të lirë e demokratike.    

Postimi i Plotë:

Federata Pan-shqiptare e Amerikës Vatra dënon ashpër sulmin e rëndë ndaj liderit të opozitës shqiptare Prof. Dr. Sali Berisha. Goditja ndaj Doktor Berishës është një akt i turpshëm dhe skandaloz. Është një veprim i pa pranueshëm në një shoqëri të lirë dhe demokratike. Është një akt i tmerrshëm që meriton ndëshkimin më të rëndë të forcës së ligjit dhe institucioneve”, shprehet Vatra në mesazhin e saj. Ky akt burracak dhe i neveritshëm do jetë gjithmonë i refuzuar prej njerëzve e shoqërive të lira si veprim që bie ndesh me parimet e demokracisë, liritë e të drejtat e njeriut, shtetin ligjor, parimet kushtetuese në një shtet demokratik. Vatra u bën thirrje autoriteteve ligjzbatuese dhe organeve të drejtësisë që të veprojnë sa më shpejt në zbardhjen e plotë të ngjarjes së dhunshme e skandaloze. Goditja e Doktor Berishës jo vetëm si lider i opozitës por edhe si ish-President dhe ish-Kryeministër i Republikës së Shqipërisë përbën një ditë të zezë edhe për vetë shtetin shqiptar. Vatra i uron shërim të shpejtë Doktor Berishës dhe shpreh mbështetjen e plotë ndaj tij dhe të gjithë opozitarëve shqiptarë që kërkojnë një Shqipëri të lirë, të zhvilluar dhe demokratike. Në emër të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës Vatra, Kryetari Elmi BERISHA

Çfarë ndodhi dje?

Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi mesditën e djeshme kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së. 31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe aktualisht po merr mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi. Dyshohet se 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.

vatra sali berisha dhunohet berisha ne proteste

Sondazh

Poll