Bota

Kryeministri i Ukrainës paralajmëron: Sezoni i dimrit do të jetë sfidues, Rusia do të bombardojë sërish infrastrukturën energjetike

Poashtu gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë, kryeministri ukrainas tha se situata kërkon një mbrojtje të fortë ajrore dhe riparime të shpejta të pajisjeve të dëmtuara të energjisë.

30 Nëntor 2022, 11:04 Nga a.l
Kryeministri i Ukrainës paralajmëron: Sezoni i dimrit do të
Denys Shmyhal

UKRAINË- Kryeministri i Ukrainës, Denis Shmyhal ka paralajmëruar se sezoni dimëror në këto kohë lufte do të jetë i vështirë, pasi Rusia pritet të bombardojë sërish infrastrukturën energjetike. Në një mbledhje të qeverisë, Shmyhal tha se qëllimi i rusëve është të ngrijnë Ukrainën dhe të kryejnë një tjetër gjenocid ndaj popullit ukrainas. Ndër të tjera në fjalën e tij, kryeministri ukrainas tha se pavarësisht vështirësive që pritet të kalojë vendi këtë sezon dimri, deri tani 70% e nevojave për energji janë plotësuar.

"Të gjitha rajonet e Ukrainës, përveç rajonit Kherson, furnizohen me energji elektrike. Aktualisht, prodhimi i energjisë elektrike në vend mbulon 70% të nevojave të konsumit", tha Shmyhal.

Sipas tij, tashmë përgjegjësia i takon më shumë kompanive rajonale të energjisë, të cilat duhet të mos tejkalojnë kufijtë e ofruar nga ofruesi shtetëror i energjisë elektrike NPC Ukrenergo dhe të minimizojnë shkëputjen e pabarabartë të konsumatorëve, shkruan CNN. 

"Ka energji të mjaftueshme, për të shpërndarë në mënyrë të barabartë ngarkesën e ndërprerjeve të detyruara në mënyrë që njerëzit të mund të ndezin dritat për të paktën pesë deri në gjashtë orë në ditë,"- tha Shmyhal.

Poashtu gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë, kryeministri ukrainas tha se situata kërkon një mbrojtje të fortë ajrore dhe riparime të shpejta të pajisjeve të dëmtuara të energjisë.

Për sa i përket mbrojtjes ajrore, gjatë muajit të kaluar ka pasur përparim të konsiderueshëm, para së gjithash, falë furnizimit me sisteme moderne perëndimore”, tha ai.

Sipas tij, marrja e pajisjeve shtesë të energjisë ishte gjithashtu një prioritet./ Dosja.al

denis shmyhal lufta ne ukraine

Sondazh

Poll