Aktualitet

Të shtënat me armë në Kurbin, policia: Autori ka qëlluar në korridor të selisë së PD

Nga ngjarja janë shoqëruar disa persona të pranishëm gjatë konfliktit, ndërkohë që është shpallur në kërkim Rica.

28 Nëntor 2022, 20:40 Nga I.A
Të shtënat me armë në Kurbin, policia: Autori ka
Policia

KURBIN- Detaje të reja janë zbuluar nga Policia në lidhje me konfliktin me armë zjarri në degën e PD-së në Kurbin.  Blutë e Kurbinit sqarojnë se ngjarja ndodhi ndërkohë që po zhvillohej një mbledhje, ku ka pasur një debat mes Kastriot Markut dhe 53-vjecarit Van Rica, anëtar partie. Nga ngjarja janë shoqëruar disa persona të pranishëm gjatë konfliktit, ndërkohë që është shpallur në kërkim Rica.

Njoftimi i Policisë:

Kurbin / Qëlloi me armë zjarri, gjatë një konflikti, Policia shpall në kërkim shtetasin V. R. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin shpallën në kërkim shtetasin V. R., 53 vjeç, , për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Shpallja në kërkim e këtij shtetasi u bë pasi, rreth orës 17:30, Policia e Kurbinit ka marrë njoftim për një konflikt, gjatë së cilit, një shtetas kishte  qëlluar me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku ka rezultar se: Dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin po zhvillonte një mbledhje dhe gjatë saj, ka pasur një debat mes shtetasve K. M. ( P), dhe një anëtari, mbështetës i një kandidati tjetër primar, nga ky subjekt politik, për Kurbinin. Në debat e sipër, shtetasi V. R. ka qëlluar me armë zjarri në korridor dhe është larguar menjëherë nga ambientet e degës së subjektit politik.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas të pranishëm gjatë konfliktit, për t’i marrë në pyetje dhe vijon puna intensive për kapjen e shtetasit V. R. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë me të cilën  shtetasi V. R., tashmë  i shpallur në kërkim, dyshohet se ka qëlluar. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.

te shtena me arme ne kurbin kastriot marku van rica

Sondazh

Poll