Bota

Rrjeti energjetik i Ukrainës u shkatërrua në shkallë 'kolosale' pas sulmeve ruse

Volodymyr Kudrytskyi, shefi ekzekutiv i Ukrenergo, tha në një konferencë se praktikisht asnjë stacion termik ose hidroelektrik nuk ishte lënë i padëmtuar nga sulmet ruse.

22 Nëntor 2022, 18:45 Nga d.a.
Rrjeti energjetik i Ukrainës u shkatërrua në shkallë
Ukraine

UKRAINË- Kreu i operatorit kombëtar të rrjetit energjetik të Ukrainës, Ukrenergo, e ka përshkruar dëmin e shkaktuar në objektet gjeneruese të energjisë ukrainase nga sulmet me raketa ruse si "kolosale".

Sipas Guardian, Volodymyr Kudrytskyi, shefi ekzekutiv i Ukrenergo, tha në një konferencë se praktikisht asnjë stacion termik ose hidroelektrik nuk ishte lënë i padëmtuar nga sulmet ruse.

"Shkalla e shkatërrimit është kolosale. Në Ukrainë ka një deficit të prodhimit të energjisë. Ne nuk mund të prodhojmë aq energji sa konsumatorët mund të përdorin."- tha Kudrytskyi.

Ai tha se ukrainasit mund të përballen me ndërprerje të gjata të energjisë, por se kompania e tij dëshironte të ndihmonte në sigurimin e kushteve që njerëzit të qëndrojnë në vend gjatë dimrit.

Ukraina kishte rezerva të mjaftueshme karburanti pasi i kishte ndërtuar para pushtimit rus, tha ai, dhe po punonte shumë për të riparuar infrastrukturën e dëmtuar, por shpresonte të siguronte disa pjesë rezervë jashtë vendit.

Ai hodhi poshtë nevojën për evakuimin e civilëve, pasi zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk njoftoi të hënën evakuimin e banorëve nga zonat e çliruara së fundmi të rajoneve Kherson dhe Mykolaiv.

Njerëzit nga dy rajonet jugore, të cilat u bombarduan rregullisht nga forcat ruse në muajt e fundit, janë këshilluar të lëvizin në zona më të sigurta në pjesët qendrore dhe perëndimore të vendit, mes frikës se dëmtimi i infrastrukturës së shkaktuar nga lufta është shumë i rëndë për njerëzit që të durojnë dimrin.

I pyetur në lidhje me propozimet për të evakuuar disa qytete të goditura më keq nga mungesa e energjisë, Kudrytskyi tha se thirrje të tilla ishin "të papërshtatshme".

lufta ukraine-rusi volodymyr kudrytskyi

Sondazh

Poll