Aktualitet

Trau në Karavasta/ AKZM për Dosja.al: Vlen vetëm për turistët, në këtë mënyrë numërojmë vizitorët, paratë do shkojnë për investime (Hesht për konsultën)

Të pyetur se ku do të shkojnë paratë që do të grumbullohen nga biletat, institucionet flasin për investime në këtë zonë, hartimin e planeve të menaxhimit, projektet e pyllëzimit, luftimin e sëmundjeve të dëmtuesve, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës brenda zonës.

18 Nëntor 2022, 18:17 Nga F.M
Trau në Karavasta/ AKZM për Dosja.al: Vlen vetëm për
Protesta në Karavasta

TIRANË- Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) pretendon se ka qenë rritja e numrit të turistëve, vendas e të huaj që ka bërë që autoritetet përkatëse të marrin vendimin për vendosjen e një sistemi elektronik biletarie në hyrje të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Në përgjigje të interesimit nga Dosja.al, zyra për shtyp e AKZM-së thotë se bileta prej 50 lekësh do të aplikohet vetëm për turistët dhe nuk do të prekë vendasit, të cilët protestojnë prej ditë kundër këtij trau e pesë prej tyre kanë përfunduar sot në komisariat pas përplasjes me policinë. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura nuk i përgjigjet pyetjes nëse ky plan është konsultuar me banorët e zonës, por thekson se sistemi me bileta do të bëjë të mundur hyrjen e kontrolluar të vizitorëve dhe mjeteve nëpërmjet aksesit të kontrolluar. Sipas tyre, aksesi i kontrolluar në park përveç sigurimit të të ardhurave, do të ndihmojë edhe në menaxhimin efektiv e të qendrueshëm të parkut. Të pyetur se ku do të shkojnë paratë që do të grumbullohen nga biletat, institucioni flet për investime në këtë zonë, hartimin e planeve të menaxhimit, projektet e pyllëzimit, luftimin e sëmundjeve të dëmtuesve, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës brenda zonës.

Përgjigjia e plotë për Dosja.al:

Parku Kombëtar Divjakë – Karavasta, për vlerat e larta natyrore, për peizazhet e bukura dhe me biodiversitet të pasur, është shndërruar në një zonë turistike, e cila vizitohet gjatë gjithë vitit nga vizitorë/turistë të shumtë vendas dhe të huaj. Duke nisur nga trendi gjithmonë e në ritje i numrit të turistëve në këtë zonë, ka lindur nevoja e vendosjes së një sistemi elektronik biletarie, i cili do të bëjë të mundur hyrjen e kontrolluar të vizitorëve dhe mjeteve nëpërmjet aksesit të kontrolluar.  Aksesi i kontrolluar në park përveç sigurimit të të ardhurave, do të ndihmojë edhe në menaxhimin efektiv e të qendrueshëm të parkut. Vendosja e kontaktit të drejtëpërdrejtë të gjithë vizitorëve me stafin e parkut, do të ndihmojë këta të fundit për të orientuar fluksin turistik dhe sjelljen e vizitorëve në përputhje me zonimin dhe rregullat e parkut.

Vizitorët/turistët, me ose pa automjet do të pajisen me një biletë hyrje sipas tarifave ligjore në fuqi për zonat e mbrojtura. Nëpërmjet këtij sistemi do të bëhet i mundur përcaktimi i saktë i numrit të vizitorëve dhe turistëve, regjistrimi i mjeteve motorrike dhe gjenerimi i të ardhurave, të ardhura të cilat do të vihen në përdorim për investime në këtë zonë, hartimin e planeve të menaxhimit, projektet e pyllëzimit, luftimin e sëmundjeve të dëmtuesve, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës brenda zonës etj. Referuar ligjit nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, neni 56, pika 2, citohet se: “Ministria, AKZM-ja dhe pushteti lokal nxitin dhe përkrahin nisma, projekte, programe e veprimtari, që synojnë përmirësimin e treguesve ekologjikë e natyrorë të një zone të mbrojtur mjedisore ose që ndikojnë pozitivisht në to”.

Përsa më sipër, si dhe në mbështjetje të VKM-së nr. 1156, datë 24.12.2020, “Për përcaktimin e të ardhurave të gjeneruara nga tarifat që paguhen në zonat e mbrojtura, të masës dhe kritereve të përdorimit të tyre”, pika 6, shkronja b, citohet se: “Përcaktimi i vendeve të aksesit të kontrolluar në parqet e menaxhuara bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës”, AKZM-ja ka kërkuar mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për realizimin e kësaj nisme, e cila do të sjellë rritjen e të ardhurave të siguruara në këtë zonë të mbrojtur mjedisore.

Ç’po ndodh në Divjakë?

Qytetarët e Divjakës kanë dale sot të protestojnë për të pestën ditë. Por kësaj here Policia e Shtetit ka 'ndëshkuar', pasi pesë prej tyre janë shoqruar në komisariat. Banorët kundërshtojnë vendosjen e traut në hyrje të parkut kombëtar. Sot në tubim morën pjesë edhe deputetët demokratë Ilda Dhori dhe Saimir Korreshi. Protestuesit thyen xhamat e kioskës së vendosur për biletat, ndërsa demokratët Korreshi dhe Dhori bënë thirrje që protesta të vazhdojë deri në anulimin e vendimit që sipas tyre është kundër ligjit. Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i PD-së në Lushnje Eduart Sharka i cili gjithashtu ishte i pranishëm në protestë.

ministria e turzimit

Sondazh

Poll