Bota

Tensionet në veri/ Këshilli Prokurorial nuk shqyrton dorëheqjet e prokurorëve serbë në Mitrovicë: Nevojitet analizë e gjendjes

Gjatë takimit, KPK-ja thotë se dorëheqjet nuk janë shqyrtuar pasi për këtë nevojitet një analizë dhe vlerësim i gjendjes së krijuar si dhe lidhur me përgjegjësit eventualë që kanë shkaktuar këtë gjendje.

8 Nëntor 2022, 15:17 Nga e.k
Tensionet në veri/ Këshilli Prokurorial nuk shqyrton dorëheqjet e
Këshilli Prokurorial i Kosovës

KOSOVË- Këshilli Prokurorial i Kosovës ka zhvilluar ditën e sotme një mbledhje të jashtëzakonshme për të për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, pas dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit administrativ të komunitetit serb. Gjatë takimit, KPK-ja thotë se dorëheqjet nuk janë shqyrtuar pasi për këtë nevojitet një analizë dhe vlerësim i gjendjes së krijuar si dhe lidhur me përgjegjësit eventualë që kanë shkaktuar këtë gjendje.

“Me këtë rast, anëtarët e Këshillit kanë kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Sekretariati i Këshillit Prokurorial që ta vlerësojnë gjendjen e krijuar dhe si njësi kompetente në kuadër të sistemit prokurorial të marrin masat e nevojshme dhe të paraqesin në Këshill propozimet konkrete për mirëfunksionimin e punës në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës”, thuhet në komunikatën për media.

Në fund të diskutimit për gjendjen e krijuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, anëtarët e Këshillit, thanë se mbetën të përkushtuar për koordinimin e veprimeve me institucionet e tjera, me qëllim të mbarëvajtjes së punëve pa ndërprerje në këtë prokurori, por edhe të funksionimit të një ambienti të sigurt juridik në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Nga organet kompetente të Kosovës u kërkua të ofrojnë siguri për punonjësit dhe objektin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicën Veriore.

“Gjatë këtij takimi, po ashtu, Këshilli ka konfirmuar listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe ka themeluar Komisionin për Rishqyrtim për pozitën e shpallur për Drejtor të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Drejtor të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë”, thuhet më tej.

KPK-ja njoftoi të hënën se 10 prokurorë të komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga Prokuroria në Mitrovicë. Po kështu kanë vepruar edhe anëtarët e stafit administrativ të kësaj prokurorie. 

Tensionet në Veri të Kosovës janë kthyer në shqetësim ndërkombëtar. Pasi Qeveria nisi të zbatojë planin me 3 faza për regjistrimin e makinave me targave serbe në Republikën e Kosovës që pritet të përfundojë deri më 21 prill. Pas vendimit, Lista serbe dorëzoi mandatet, ndërsa u braktisën edhe instutucionet. Në valën e trazirave, u konfirmua zyrtarisht dhe po diskutohet plani franko-gjerman që synon arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Propozimi franko-gjerman nuk është bërë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht, por flitet për asosacionin e komunave serbe dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtarë. Për këtë "njohje" Serbisë i përshpejtohet rruga për integrimin në BE. Kryeministri Albin Kurti deri më tani ka dhënë një përgjigje; nuk ka shanse që të japë “ok” për Asosacionin e komunave serbe.

tensionet në veri të kosovës

Sondazh

Poll