Bota

VIDEO/ Deputetët e Listës Serbe dhanë dorëheqjen, zyra e Grupit Parlamentar në Kuvendin e Kosovës bosh

Kjo vjen pasi efektivët e Policisë në Mitrovicë dhe zyrtarë të tjerë lokal serbë dhanë dorëheqjen pas thirrjes së bërë nga kreu i Listës Serbe Goran Rakiç për braktisje të institucioneve. 

7 Nëntor 2022, 11:52 Nga e.k
VIDEO/ Deputetët e Listës Serbe dhanë dorëheqjen, zyra e
Zyra e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës

KOSOVË- Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur ditën e sotme që 10 deputetë që i përkasin Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme nga detyra. Kjo vjen pasi efektivët e Policisë në Mitrovicë dhe zyrtarë të tjerë lokal serbë dhanë dorëheqjen pas thirrjes së bërë nga kreu i Listës Serbe Goran Rakiç për braktisje të institucioneve. 

“Njoftojmë se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjekti politik parlamentar Lista serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Siç shihet edhe në video zyra e Grupit Parlamentar të Listës Serbe është e boshatisur ndërkohë duket se disa dokumente në tavolinë janë lënë nga mbledhja e fundit. 

Tensionet në Veri të Kosovës kanë nxitur një tjetër ngërç në marrëdhëniet mes vendeve. Lista Serbe paralajmëroi se do të tërhiqej nga të gjithë institucionet në veri. Të shtunën ishin efektivët serbë në Policinë e Kosovës në Mitrovicë ata që dorëzuan detyrën dhe në shenjë simbolike hoqën uniformat. Ndërkohë ditën e sotme ata dorëzuan armët pranë Rajonit të Policisë në Zveçan ndërsa Lista Serbe dorëzoi mandatet në Kuvendin e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka deklaruar që nuk do të heqë dorë nga marrëveshja për targat, ndërkohë që SHBA dhe BE kanë mbërë thirrje për maturi duke dënuar veprimet e Serbisë në Veri.

tensionet në veri të kosovës dorehiqet lista serbe

Sondazh

Poll