Aktualitet

Kokaina në Durrës, kompania: Jemi të pafajshëm, grupet kriminale po përdorin linjën pa dijeninë tonë

Kompania pretendon se grupet kriminale po  përdorin linjën pa dijeninë e tyre dhe se kjo po u shkatërron biznesin.

4 Nëntor 2022, 09:00 Nga A.B
Kokaina në Durrës, kompania: Jemi të pafajshëm, grupet
Porti Durres

TIRANË- Përfaqësuesit e kompanisë 'Banaking' kanë mohuar të jenë të përfshirë në trafikimin e kokainës që u zbulua mbrëmë në Portin e Durrësit. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, ata kanë treguar para agjentëve të Antidrogës se s’kanë asnjë lidhje me lëndën narkotike dhe s’kanë pasur dijeni për praninë e saj në arkat me banane. Kompania pretendon se grupet kriminale po  përdorin linjën pa dijeninë e tyre dhe se kjo po u shkatërron biznesin.

“Nuk kemi asnjë përgjegjësi pasi neve si kompani porosinë e bëjmë në rrugë elektronike dhe s’jemi fizikisht në Ekuador. Nga ta dimë neve se çfarë kanë arkat brenda?! Mund ta linit ngarkesën të mbërrinte në magazinat tona dhe nëse neve zbulonim se kishte kokainë dhe se raportonim atëherë kjo përbënte shkelje ligjore. Ne presim banane, se çfarë ka kontejneri brenda nuk kemi se si ta dimë. Grupet kriminale e përdorin linjën pa dijeninë tonë. Ky është një problem për ne sepse na shkatërron biznesin. Ne jemi të pafajshëm pasi s’kemi asnjë dijeni për lëndën narkotike“, kanë deklaruar ndër të tjera përfaqësuesit e kompanisë pritëse të bananeve me seli në Tiranë.

Ky reagim vjen pas zbulimit të 33.5 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit. Lënda narkotike e cila ishte futur në kontejnerët e kompanisë ‘BanaKing’, në pronësi të biznesmenit Trifon Murataj, u gjet pasditen e djeshme në Portin e Durrësit. Lënda narkotike ishte ngarkuar me banane dhe vinte nga Ekuadori. U desh tre ditë kontrolle, që të zbulohej se në kontejner ishte fshehur sasia e madhe e lëndës narkotike. Qentë antidrogë ishin ato që zbuluan se ku fshihej droga. Kokaina ishte mbështjellë dhe futur brenda kutive të mbushura me banane. Në polici kanë përfunduar 8 persona, punonjës të kompanisë dhe portit, pasi skaneri e kishte nxjerrë të paste kontejnerin dhe dyshimet janë se ka pasur bashkëpunim me përgjegjësit.

droge ne banaking porti i durresit

Sondazh

Poll