Politike

'Administrata s'do ketë patronazhistë'/ Meta: Prioriteti ynë krijimi i Zonave të Lira Ekonomike

Meta u shpreh se  Shqipëria duhet të kthehet në qendrën rajonale të industrisë prodhuese dhe manifakturës në Europë.

29 Tetor 2022, 12:36 Nga A.B
'Administrata s'do ketë patronazhistë'/ Meta:
Ilir Meta

TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se prioriteti i PL-së, është krijimi i zonave të lira ekonomike. Gjatë konventës së PL-së, Meta u shpreh se  Shqipëria duhet të kthehet në qendrën rajonale të industrisë prodhuese dhe manifakturës në Europë. Ai shtoi se PL synon që administratat publike të jenë të mbushura me persona profesionistë dhe jo me patronazhistë.

FJALA E METËS:

Sistemi i taksimit korruptiv të Rilindjes ka vendosur në mënyrë antikushtetuese Tatim Mbi Dividentin në masën 8%, ndërsa do taksojë profesionistët e rinj, të vetpunësuarit, që janë shtylla kurrizore e shoqërisë dhe ekonomisë, me 23% të fitimit. A ka taksim më të pandershëm mbi kapitalin njerëzor? Mbi talentin, arsimin, energjinë dhe djersën e shqiptarëve të kualifikuar për punë? Në kushtet e krizës ekonomike aktuale ne propozojmë të ulim barrën fiskale për individët dhe bizneset, për të formalizuar ekonominë, për të ulur çmimet, për të stimuluar konsumin dhe prodhimin vendas.

ADMINISTRATA PUBLIKE: Me Profesionistë dhe jo Patronazhistë

Ne synojmë meritokracinë në administratën publike si e vetmja garanci për suksesin e te gjitha reformave institucionale dhe qeverisëse. Duhet të bëjmë çmos për të mbajtur dhe rekrutuar profesionistët e rinj me ambicie dhe vizion, për të ecur përpara me reformat institucionale dhe për të kapur kohën e humbur me integrimin europian. Një prioritet i rëndësishëm për ne, është rikthimi i shërbimeve publike më të domosdoshme pranë qyteteve dhe bashkive, që po shkretohen me shpejtësi marramendëse, për shkak të heqjes së qëllimshme të këtyre shërbimeve nga Rilindja.

Kjo është një nga arsyet kryesore të shpopullimit të shumicës së qyteteve dhe trevave tona, pasi largimi i detyruar i intelektualëve nga këto zona, si dhe largimi i shërbimeve, i ka bërë të pamundura këto shërbime për tu përfituar nga qytetarët, për shkak të kostove shumë të larta të udhëimit dhe burokracive. Partia e Lirisë mbështet fuqishëm garantimin e votës për Diasporës, por edhe do të hapim dyert për profesionistët e diasporës shqiptare kudo ku ndodhen, që të vijnë të kontribuojnë dhe investojnë në Shqipëri.

Për Partinë e Lirisë, një prioritet imediat është krijimi i Zonave të Lira Ekonomike në Shqipëri. Shqipëria duhet të kthehet në qendrën rajonale të industrisë prodhuese dhe manifakturës në Europë. Prandaj ne propozojmë një sistem fiskal dhe doganor favorizues për krijimin e zonave të lira ekonomike dhe teknologjike, me potencialin për të thithur investitorë të huaj serioz dhe të fuqishëm.

Sot për shkak të mungesës së një strategjie dhe politikës industriale, ne po humbasim tregjet europiane, e ndërkohë që duhet të ishim liderë të Ballkanit në këtë aspekt. Prej më shumë se një dekade, Maqedonia e Veriut, është një shembull shumë i suksesshëm në këtë drejtim. Në katalogun e “Invest in Macedonia”, ftesa që u bëhet investitorëve, është që ata të investojnë atje, sepse porti i Durrësit është vetëm 200 km larg… Ndërsa Shqipëria që e ka Portin e Durrësit, nuk ka asnjë Zonë të Lirë Ekonomike. Këto pra janë shanse të humbura për Shqipërinë, vende punë të humbura, eksporte të humbura, zhvillim ekonomik i munguar, varfëri dhe dëshpërim që detyron të rinjtë shqiptarë të ikin nga vendi.

ilir meta konventa e partise se lirise

Sondazh

Poll