Bota

Trump s'i përgjigjet fletëthirrjes, Komisioni i 6 janarit interviston ndihmësen e tij, Hope Hicks

Zonja Hicks nuk luajti rol të rëndësishëm në përgjigjen e Shtëpisë së Bardhë ndaj rebelimit të 6 janarit 2021, kur qindra mbështetës të ish-Presidentit Trump hynë me forcë në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara dhe ndërprenë çertifikimin e fitores në zgjedhje të Presidentit Joe Biden. Ndihmësja e hershme në fushën e komunikimeve e ish-Presidentit Trump vazhdonte të punonte në atë kohë në Shtëpinë e Bardhë, por u largua në ditët në vijim.

26 Tetor 2022, 07:36 Nga DOSJA
Trump s'i përgjigjet fletëthirrjes, Komisioni i 6 janarit
Hope Hicks

UASHINGTON – Komisioni hetimor i Dhomës së Përfaqësuesve për sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, ka marrë në intervistë një ndihmëse të hershme të ish-Presidentit Donald Trump, Hope Hicks, tha një person në dijeni të punimeve, i cili kërkoi t’i ruhet anonimiteti. Intervista e së martës vjen ndërsa hetimet po i afrohen fazës përmbyllëse dhe komisioni ka thirrur ish-Presidentin Trump për një intervistë në javët e ardhshme.

Zonja Hicks nuk luajti rol të rëndësishëm në përgjigjen e Shtëpisë së Bardhë ndaj rebelimit të 6 janarit 2021, kur qindra mbështetës të ish-Presidentit Trump hynë me forcë në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara dhe ndërprenë çertifikimin e fitores në zgjedhje të Presidentit Joe Biden. Ndihmësja e hershme në fushën e komunikimeve e ish-Presidentit Trump vazhdonte të punonte në atë kohë në Shtëpinë e Bardhë, por u largua në ditët në vijim.

Sidoqoftë, zonja Hicks ishte një nga ndihmëset më të besuara të ish-Presidentit Trump. Dhe ajo ishte e përfshirë në shkëmbimet e mesazheve me celular dhe nëpërmjet postës elektronike ditën përpara mbajtjes së fjalimit të ish-presidentit jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe përpara se të fillonte dhuna, njoftoi kanali CNN, pasi mori kopje të mesazheve të dorëzuara nga ish-shefi i stafit i Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows.

Zonja Hicks është përfshirë edhe më parë në proceset hetimore ndaj ish-shefit të saj. Ajo ishte dëshmitare kyçe në hetimet për Rusinë të ish-prokurorit të posaçëm Robert Mueller, duke i dhënë informacion të rëndësishëm zyrës së tij për përpjekjet e ish-Presidentit Trump për ta penguar atë hetim. Ajo megjithatë refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve për periudhën që punoi në Shtëpinë e Bardhë, pyetje të drejtuara nga ligjvënësit demokratë që po hetonin ish-presidentin në vitin 2019, pasi ishte publikuar raporti i Prokurorit Mueller.

Marrja në intervistë e zonjës Hicks u raportua fillimisht nga gazeta “The New York Times”.

Komisioni i 6 janarit ka intervistuar mbi 1 mijë dëshmitarë, përfshirë ndihmësa të shumtë të Shtëpisë së Bardhë, dhe ka konkluduar se ish-Presidentit Trump i ishte thënë në mënyrë të përsëritur nga disa prej këshilltarëve të tij më të afërt se i kishte humbur zgjedhjet e vitit 2020. Por, ai vazhdoi të përhapë pretendimet e pavërtetuara për manipulime të gjera elektorale, pretendime të cilat përsëriteshin nga mbështetësit e tij që hynë me forcë në Kapitol.

Komisioni i përbërë nga nëntë ligjvënës i dërgoi një letër avokatëve të ish-Presidentit Trump javën e kaluar, ku kërkohet dëshmia e tij, qoftë në Kapitol ose nëpërmjet një video-konference, duke filluar nga data 14 nëntor dhe duke vazhduar për disa ditë, nëse do të jetë e nevojshme. Letra gjithashtu paraqet një kërkesë të gjerë për paraqitje dokumentash, përfshirë komunikimet personale mes ish-Presidentit Trump, ligjvënësve dhe grupeve ekstremiste.

Ish-Presidenti Trump ende nuk i është përgjigjur fletëthirrjes. Komisioni mbajti nëntë dëgjesa publike këtë vit dhe pritet të dalë me një raport përfundimtar deri në fund të vitit.

Marrë nga VOA

donald trump hope hicks

Sondazh

Poll