Politike

Riaktivizohet Procesi i Berlinit/ Nën drejtimin e Gjermanisë, arrihen marrëveshjet për lëvizjen e lirë të vendeve të Ballkanit (PËRFITIMET)

Tri marrëveshjet vijnë në kuadër të procesit të Berlinit dhe parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët

21 Tetor 2022, 20:17 Nga F.M
Riaktivizohet Procesi i Berlinit/ Nën drejtimin e Gjermanisë, arrihen
Ministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor

BERLIN- Ministrat e jashtëm të Ballkani Perëndimor kanë rënë dakord në Berlin për lëvizjen e lirë me karta identiteti mes shtetasve të rajonit, njohjen e diplomave universitare, dhe njohjen e kualifikimeve profesionale. Takimi u zhvillua në Berlin në takimin e ministrave të Jashtëm dhe jo në nivel të lartë, pra atë të kryeministrave. Marrëveshjet u firmosen në kuadër të Procesit të Berlinit dhe nën angazhimin e qeverisë gjermane.

Tri marrëveshjet vijnë në kuadër të procesit të Berlinit dhe parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët. Ministrja e Jashtme gjermane u shpreh Annalena Baerbock se këto marrëveshje hapin rrugën për bashkëpunim mes vendeve të rajonit duke bërë të mundur misionin e Procesit të Berlinit të nisur nga ish-Kancelarja gjermane Angela Merkel.

Në takim u tha se përfitimin më të madh nga kjo marrëveshje do ta kenë qytetarët nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza. Dokumenti përfundimtar pritet të nënshkruhet me 3 nëntori në Berlin, ku pritet të mbahet takimi i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor dhe të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, si dhe përfaqësuesve të Këshillit dhe Komisionit Evropian.

Media malajzeze "Vijesti" shkruan se në këtë takim u riaktivizu sërish Procesi i Berlinit  ndërkohë që shton se ky Proces i inicuar nga Angela Merkel tashmë po është në fuqi të plotë. Në takim ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ranko Krivokapiq është shprehur se Procesi i Berlinit do shërbejë si një "faner ndriçues" në rrugën e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë media maqedonase "Mia" teksa ka përcjellë foto nga takimi bën me dije se ministri i Jashtëm maqedonas, Bujar Osmani është shprehur se Tregu i Përbashkët Rajonal i iniciuar nga Procesi i Berlinit ka të njëjtin qëllim si Ballkani i Hapur dhe se është koha që këto dy procese të bashkohen

Ku konstistojnë tre marrëveshjet:

Heqja e vizave mes Kosovës dhe Bosnjës 

Tri marrëveshjet parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të BallkanitPerëndimor, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët. Ministrja gjermane e punëve të jashtme theksoi të premten gjatë fjalës hapëse në konferencë se përfitimin më të madh nga kjo marrëveshje e kanë njerëzit nga Kosova dhe Bosnja-Hercegovina, të cilët nuk do të kenë nevojë për vizë për të vizituar njëri-tjetrin.

“Kjo do të thotë që të rinj kosovarë dhe bosnjakë do të vizitojnë njëri-tjetrin pa viza, gjë që  për ne evropianët është e zakonshme. Do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre bachelor për të punuar në Maqedoninë e Veriut, dhe që arkitektët nga Serbia të punojnë në Mal të Zi”, tha Baerbock tha se këto marrëveshje lehtësojnë rrugën për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal.

Heqja e tarifave për njohjen e diplomave dhe kualifikimeve

Krahas të dërguarit të posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për arritjen e marrëveshjeve ka punuar edhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, me qendër në Sarajevë. Sekretarja e përgjithshme e tij, Majlinda Bregu, sqaroi se falë marrëveshjes tani të diplomuarit nuk do të kenë nevojë të paguajnë më tarifa prej 200 deri 500 euro për njohjen reciproke të diplomave. 

“Me këtë marrëveshje, kjo kosto do të jetë zero. Për qytetarët ky është një fitim real. Është një lajm i mire për rajonin që procesi vizionar dhe pionier i Berlinit është rikthyer! Ky proces ka qenë instrumenti kryesor për ofrimin e mundësive për rininë, agjendën e gjelbër, tregun e përbashkët rajonal, integrimin e romëve, sigurisë dhe agjendave të tjera të ndryshme në rajonin tonë. RCC ka pasur një rol të rëndësishëm në shumë prej rezultateve të arritura përmes tij”, tha Bregu.

Bregu tha se falë marrëveshjes së lëvizjes së lirë të njerëzve, bie edhe “muri i fundit i regjimit të vizave në Ballkanin Perëndimor, ai mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës”.

Procesi i Berlinit si qëllim kryesor të tij ka përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin evropian të rajonit. Procesi fokusohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit. Procesi i Berlinit u iniciua nga ish-Kancelarja gjermane, Angela Merkel në vitin 2014.

annalina berbok baerbock ballkani perendimor

Sondazh

Poll