Bota

Dialogu Kosovë-Serbi, Qeveria gjermane: Diskutimet për propozimin franko-gjerman po vazhdon

Nga Berlini e përsërisin në vazhdimësi se është bindje e Qeverisë Gjermane se çështjet politike që çojnë drejt normalizimit të plotë në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen në mënyrë venidmtare dhe të shpejtë në mënyrë që të mos krijohen hapësira për përshkallëzim në terren.

18 Tetor 2022, 13:45 Nga I.A
Dialogu Kosovë-Serbi, Qeveria gjermane: Diskutimet për propozimin
Albin Kurti, Miroslav Lajcak, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne

KOSOVË- Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ditë më parë ka konfirmuar se Berlini dhe Parisi janë në pritje të një përgjigje nga kryeministri Albin Kurti për punën e propozimeve që ndërlidhen me dialogun Kosovë-Serbi dhe se për këtë çështje është vendosur një afat kohor. Megjithatë nga Qeveria Federale e Gjermanisë në një përgjigje për Gazetën Express të pyetur rreth afateve kohore dhe nëse kanë marrë ndonjë përgjigje kanë thënë se diskutimet për propozimet janë duke vazhduar ende. Nga Berlini e përsërisin në vazhdimësi se është bindje e Qeverisë Gjermane se çështjet politike që çojnë drejt normalizimit të plotë në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen në mënyrë venidmtare dhe të shpejtë në mënyrë që të mos krijohen hapësira për përshkallëzim në terren.

“Në takimet e fundit të nivelit të lartë kjo është nënvizuar dhe propozimet për këtë qëllim janë diskutuar në mënyrë konfidenciale. Këto diskutime po vazhdojnë”, tha një zëdhënës i Qeverisë gjermane.

Bislimi, javën e kaluar ka treguar se top-këshilltarët e Scholz dhe Macron gjatë vizitës së tyre në Prishtinë dhe Beograd, bashkë me propozimet kanë lënë edhe afatin kohor për përgjigje. Vizita e këshilltarëve kryesorë të Macron dhe Scholz në rajon ka shënuar edhe rikthimin me kapacitet të plotë të Parisit dhe Berlinit në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Një aktivitet i tillë i shtuar s’ishte vërejtur që nga koha kur Angela Merkel ka qenë kancelare.

Një propozim i ri ka shkuar në tryezën e Kurtit dhe Vuçiç përsa i takon vijimit të dialogut Kosovë-Serbi nga këshilltarët e Macron dhe Scholz. Në thelb flitet për modelin e dy gjermanive i cili do të nënkuptonte se Serbia e pranon pavarësinë e Kosovës, por nuk e njeh zyrtarisht atë, kjo nënkupton edhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Në këmbim të këtij veprimi Serbisë do ti lehtësohej procesi i integrimit drejt BE si dhe do ti jepen ndihma të mëdha financiare.

besnik bislimi marreveshja franko-gjermane albin kurti dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll