Aktualitet

Kërkimi i naftës, 'Blloku 5' në tokë del për të disatën herë me interes

AKBN bëri me dije se për këtë bllok ka një vendim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të datës 13 shtator që e nxjerr atë të lirë për investitorët.

18 Tetor 2022, 13:25 Nga k.m.
Kërkimi i naftës, 'Blloku 5' në tokë del për
Foto ilustruese

Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës ka nxjerrë për shprehje interesi nga ana e investitorëve potencialë Bllokun 5 në tokë për kërkimin e naftës. Kjo nuk është hera e parë që ky bllok del për të pritur aplikime nga palët e interesuara dhe në të kaluarën edhe pse ka pasur interes në fazat e para nuk ka kaluar të gjitha etapat për nënshkrimin e një kontrate. AKBN bëri me dije se për këtë bllok ka një vendim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të datës 13 shtator që e nxjerr atë të lirë për investitorët.

Referuar dokumenteve kohëzgjatja e periudhës së kërkimit është deri në 5 vjet dhe mund të zgjatet deri në 7 vjet në përputhje me “Ligjin e Naftës”.

“Periudha e kërkimit është e ndarë në faza, me detyrimet e punës dhe angazhimet financiare përkatëse për secilën prej tyre. Kontraktori nuk mund të ndjekë fazën pasuese pa kryerjen e detyrimeve të punës apo angazhimeve financiare përkatëse. Kohëzgjatja e secilës fazë të Periudhës së Hulumtimit është subjekt i negociatave” thuhet në dokumente.

Blloku 5 ndodhet në juglindje të Shqipërisë, nga Saranda në jug deri në Vlorë në veri. Kufiri perëndimor përkon me bregun e detit Jon në jug dhe me detin Adriatik veriu.

Më herët AKBN nxori për shprehje interesi edhe dy Blloqe të tjera si ai C dhe Panaja. AKBN ka bërë të ditur se për këto Blloqe ka pasur interes në fazën e parë nga dy kompani Eni Albania B.V. dhe Energy Development Group.

Kompanitë kanë tërhequr paketën me të dhënat paraprake për të parë më pas mundësinë e paraqitjes së aplikimeve të mundshme de e vetmja që ka paraqitur një të tillë në fillim të gushtit është Energy Development Group.

Aktualisht provuesi i vlerësimit të aplikimeve është në vijim dhe AKBN ka kaluar hallkën e saj të vlerësimit duke e lënë tashmë në dorë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të vendosur ecurinë e procesit dhe nëse do të ketë negociata./Monitor

akbn kerkimi i naftes

Sondazh

Poll