Bota

Pas takimit me Kurtin, Lajçak takon sot Vuçiçin në Beograd

Siç kanë njoftuar nga kabineti i Vuçiçit, pas takimit nuk do të ketë deklarata për media.

17 Tetor 2022, 10:35 Nga k.m.
Pas takimit me Kurtin, Lajçak takon sot Vuçiçin në
Mirosllav Lajçak dhe Aleksandër Vuçiç

BEOGRAD- Nëntori po vjen dhe bashkë me të edhe afati për zbatimin e marrëveshjes së reciprocitetit. Kështu që pas takimit me Albin Kurti disa ditë më parë, sot i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak do të mbërrijë në Beograd për të takuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Siç kanë njoftuar nga kabineti i Vuçiçit, pas takimit nuk do të ketë deklarata për media.

Ndërsa pas takimit me Kurtin, Lajçak ka bërë me dije se me kryeministrin kishin diskutuar lidhur me disa çështje të ndryshme, por më së shumti ishin fokusuar në atë të riregjistrimit të veturave me targa serbe në RKS (Republika e Kosovës). Edhe njëherë ai ka përmendur se afati për riregjistrim skadon më 31 tetor dhe se bashkësia ndërkombëtare dëshiron të dijë se cilat janë planet në këtë drejtim.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia. Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës. Ndërkohë që Vuçiç në një konferencë të jashtëzakonshme pak ditë më parë tha me ironi se aq shumë interes kishte për këtë nismë, saqë vetëm 9 serbë e kishin ndryshuar targën e tyre.

Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe. Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.

Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

mirosllav lajçak aleksandër vuçiç marreveshja e reciprocitetit

Sondazh

Poll