Ekonomi

RAPORTI i BSH: Përmirësohet fitimi i sektorit bankar, sërish poshtë niveleve të vitit të kaluar

Të dhënat mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë mbështeten në standardet lokale të mbikëqyrjes dhe mund të kenë diferenca me rezultatet që bazohen në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar dhe që zakonisht bankat i raportojnë me frekuencë tremujore. Rritja e fitimeve ka sjellë një përmirësim në treguesit e rentabilitetit krahasuar me muajt e mëparshëm.

14 Tetor 2022, 07:35 Nga DOSJA
RAPORTI i BSH: Përmirësohet fitimi i sektorit bankar, sërish
Foto Ilustruese

TIRANË- Fitimi i sektorit bankar shënoi një rritje të ndjeshme gjatë muajit gusht, megjithatë në vlerë progresive ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht fitimi neto i sektorit bankar arriti në 11.1 miliardë lekë, në rritje me 3.7 miliardë lekë krahasuar me fitimin e 7-mujorit. Megjithatë, fitimi neto ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar, me 16% më pak.

Të dhënat mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë mbështeten në standardet lokale të mbikëqyrjes dhe mund të kenë diferenca me rezultatet që bazohen në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar dhe që zakonisht bankat i raportojnë me frekuencë tremujore. Rritja e fitimeve ka sjellë një përmirësim në treguesit e rentabilitetit krahasuar me muajt e mëparshëm.

Kështu, kthimi nga kapitali, mesatarizuar me bazë vjetore, në fund të gushtit arriti në 9.21%, niveli më i lartë i regjistruar për 2022. Megjithatë, ky tregues është ndjeshëm më i ulët krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, kur shënonte nivelin 12.01%. Edhe kthimi nga aktivet ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm, duke shënuar gjithashtu vlerën më të lartë të këtij viti, në nivelin 1.02%. Por, edhe ky tregues është më i ulët në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur shënonte nivelin 1.3%. Gushti duket se ka sjellë sinjale të përmirësimit të përfitueshmërisë së sektorit bankar, që deri tani këtë vit ishte karakterizuar nga rënie e ndjeshme krahasuar me vitin 2021.

Arsyeja kryesore ishte efekti negativ nga rritja e normave të interesit në tregjet financiare. Kjo rritje solli ulje në vlerën e drejtë të instrumenteve financiare në portofolet e bankave, duke dhënë një efekt negativ në performancën e tyre financiare. Në raportimin për qëllime rregullatore, pjesërisht ky efekt është shkaktuar edhe nga standardet tepër konservatore të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.

Burime nga sektori bankar bëjnë të ditur se pikërisht një tendencë më e favorshme në tregjet ndërkombëtare ka sjellë përmirësim në bilancin e të ardhurave nga instrumenteve financiare, me një rritje të vlerës së drejtë të instrumenteve të mbajtura për shitje. Ky ka të ngjarë të jetë faktori kryesor në rritjen e ndjeshme të fitimeve gjatë gushtit. Megjithatë, ekspertët bëjnë të ditur se gjatë shtatorit ecuria e tregjeve është keqësuar sërish, duke anulluar edhe fitimet e siguruara nga rritja e vlerës së instrumenteve të borxhit në gusht. Për këtë arsye, ka shumë të ngjarë që përmirësimi i rezultatit sipas standardeve të BSH në gusht të jetë i përkohshëm.

Ndërkohë, deri tani nuk ka pasur një efekt negativ të lidhur me cilësinë e portofolit të kredisë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti i kredive me probleme vazhdon të shënojë rënie të ngadaltë dhe për muajin gusht zbriti në 5.2%, niveli më i ulët që nga fundi i vitit 2008. Të dhënat e muajit gusht japin sinjale inkurajuese për përmirësim të përfitueshmërisë, por ngelet për të parë nëse kjo tendencë do të jetë e qëndrueshme, ndërkohë që ekonomia po përballet gjithnjë e më shumë me efektet e inflacionit të lartë.

Frenimi i rritjes ekonomike dhe rënia e aftësisë paguese së sektorit privat do të japë efektet e veta edhe në sektorin financiar. Ekspertët mendojnë se gradualisht mund të ketë një ulje të ritmeve të kreditimit dhe ndoshta rritje të raportit të kredive me probleme.

Marrë nga Monitor.al

banka e shqiperise

Sondazh

Poll