Insights

Një taksë për HEC-et dhe kompanitë e naftës

Këtyre pasojave direkte u shtohet edhe një kosto tjetër më pak e dukshme, por po kaq e rëndë. Deri tani, qeveria shqiptare ka shpenzuar 200 milionë dollarë nga taksat për të injektuar kapital në buxhetin e KESH. Pra, pasojat janë evidente kudo.

12 Tetor 2022, 17:05 Nga Klodian Tomorri
Një taksë për HEC-et dhe kompanitë e naftës
Foto ilustruese

Rritja ekstreme e çmimeve të energjisë ka vendosur një barrë të rëndë financiare mbi buxhetet e familjeve shqiptare duke u shndërruar njëkohësisht edhe në kërcënim serioz për ekonominë kombëtare. Çmimi i karburantit në treg është rritur me 50% nga viti i kaluar. Nga ana tjetër, rritja e çmimit të energjisë për bizneset ka shtrenjtuar në mënyrë dramatike ushqimet dhe mallrat e tjerë të jetesës bazë.

Këtyre pasojave direkte u shtohet edhe një kosto tjetër më pak e dukshme, por po kaq e rëndë. Deri tani, qeveria shqiptare ka shpenzuar 200 milionë dollarë nga taksat për të injektuar kapital në buxhetin e KESH. Pra, pasojat janë evidente kudo.

Nga këndvështrimi strikt tregtar krizat e çmimeve janë një lojë me shumë totale zero. Humbja që pësojnë blerësit nga rritja e çmimeve shkon si fitim për shitësit apo prodhuesit. Kur këto luhatje janë afatshkurtra ato konsiderohen si lëvizje normale të tregut. Por kur zgjasin, atëherë lind nevoja që shteti të ndërhyjë për të rishpërndarë të ardhurat e jashtëzakonshme. Dhe qeveritë normale po e bëjnë ndërkohë.

Pak ditë më parë, Komisioni Europian kufizoi me tavan të ardhurat tregtare të prodhuesve të energjisë elektrike dhe vendosi një taksë solidariteti mbi prodhuesit e naftës. Sipas rregullores, të ardhurat tregtare të prodhuesve të energjisë nga burimet e rinovueshme u kufizuan deri në 180 euro për çdo megavat energji të prodhuar. Tashmë, një HEC që prodhon energji në BE mund ta shesë atë edhe me 400 euro për mega, por kompanisë do t’i mbeten vetëm 180 euro, pjesën tjetër e merr shteti.

Ndërsa masa e dytë, parashikon se fitimet e jashtëzakonshme të kompanive prodhuese të naftës do të taksohen me 33% shtesë. Taksa do të aplikohet për çdo kompani nafte, e cila realizon një fitim 20 për qind më të lartë se mesatarja e tre viteve të fundit. Kur ministrat e 27 vendeve me strukturë ekonomike të ndryshme arrijnë të bien dakord për një ndërhyrje të tillë, pyetja që shtrohet është po qeveria shqiptare pse nuk ndërhyn? Kjo është e pashpjegueshme dhe njëkohësisht e pafalshme.

Prodhuesit privatë të energjisë elektrike në Shqipëri, që nuk ja shesin energjinë shtetit, këtë vit pritet të prodhojnë mesatarisht 1.4 milionë megavat energji. Çmimi mesatar i energjisë në bursë për 2022-shin rezulton 284 euro për mega. Kjo do të thotë se të ardhurat tregtare të prodhuesve privatë të energjisë pritet të shkojnë potencialisht në rreth 400 milionë euro gjatë vitit korrent.

Vendosja e çmimit tavan në 180 euro për mega, do t’i çonte buxhetit të shtetit potencialisht 140 milionë euro, para që qeveria mund t’i përdorte për të zbutur pasojat e krizës tek qytetarët. Potencialisht, sepse duhet parë se ç’pjesë e energjisë është shitur me kontrata “hedge”, pra marrëveshje afatgjata me çmim të fiksuar. Së dyti, kompanitë që prodhojnë naftë nga nëntoka shqiptare për vitin 2022 pritet të gjenerojnë të paktën 100 milionë euro fitime fiskale. Pjesa dërrmuese e këtyre fitimeve do të kualifikohej si bazë e taksueshme për taksën e solidaritetit. Kjo do të sillte dhjetra milionë euro të tjera shtesë në arkën e shtetit.

Të dyja këto masa janë ligjore, të drejta dhe proporcionale. Por me sa duket qeveria shqiptare ka axhende tjetër. Deri më sot, të vetmet hapa që ajo ka marrë për krizën janë ato që e hedhin të gjithë koston tek qytetarët. Çmime rekord për karburantet, subvencion buxhetor për KESH dhe së fundmi edhe 5 fishim i çmimit për fashën e konsumit mbi 800 kilovat orë. Kurse Ministria e Financave, që duhet të ishte propozuesja e paketë ligjore, duket se edhe ajo ka axhende tjetër. Prioriteti i saj janë ngritja e grupeve të punës për koncesionin e certifikatave elektronike dhe markimit të karburanteve./Mcn Tv

klodian tomorri hec

Sondazh

Poll

Insights 28 Shtator 2022, 09:10 Ditmir Bushati

Pesë mësime nga Italia

Itali Të mësuar me “rrëmujën” e politikës italiane, por edhe me faktin se lidhja mes Shqipërisë dhe Italis&e...