Politike

Raporti i Dick Marty/ Rama në KiE: Kush e ndaloi një Prokurorore të hetonte më tej?

Rama pyeti se përse prokurorja Carla del Ponte nuk i vijoi hetimet për çështjen.

12 Tetor 2022, 15:56 Nga A.B
Raporti i Dick Marty/ Rama në KiE: Kush e ndaloi një Prokurorore
Edi Rama

STRASBURG- Në fjalën e tij në Këshillin Europian, kryeministri Edi Rama u ka drejtuar të gjithë të pranishmëve një pyetje “kush i pengoi akuzuesit e  UÇK-së të kryenin hetime të thella”? Ai pyeti se përse prokurorja Carla del Ponte nuk i vijoi hetimet për çështjen.

'Lufta është punë e shëmtuar, është në natyrën e saj që dikush të presupozojë se ka simetri luftëtarësh e të presupozojë se të dyja palët kanë shkaktuar dëme, por lufta në Kosovë nuk ishte një luftë e zakonshme, ishte një shfaqej e përgjakshme e një diktature ultra nacionaliste në kërthizë të Europës. Ishte një tubim i ndërgjegjes së perëndimit demokratik, ishte një thirrje e dëshpëruar nga zemra e Europës për të shpaguar integritetin e bashkësisë ndërkombëtare pas dekadash shpërfillje të vuajtjes së miliona civilëve në mbarë botën. Perëndimi u ngrit në lartësinë e sfidës. Bashkësia ndërkombëtare e gjeti ndërgjegjen e vet, Europa gjeti busullën e saj morale e megjithatë jo shumë më pas, kjo busull humbi. Humbi pikërisht në këtë ndërtesë. Të njëjtat institucione ndërkombëtarë që sollën fundin e luftës në Jugosllavi dhe i dhanë Kosovës të drejtën e lirisë, të paqes, të dinjitetit minuan vetë veprimet e tyre, vetë parimet e tyre. Ata jo vetëm përfunduan duke vëne në pikëpyetje motivet dhe integritetin e luftës për liri të Kosovës, por gjithashtu përmes veprimeve të tyre, presupozuan e hamendësuar se kurrë nuk kishte pasur një të tillë. Si ndodhi një gjë e tillë?

Do t’iu kursej spekulimet pa interes. Këtu janë faktet. Më pak se një dekadë pas ndërhyrjes së NATOS- në vitin 2008, Carla del Ponte, ish- kryeprokurore e Gjykatës Ndërkombëtarë Penale për Ish Jugosllavinë, botoi një libër kujtimesh titulluar “Zonja Prokurore”. Në këtë libër zonja del Ponte pretendonte se krime të tmerrshme ishin kryer nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë mbi të gjitha, trafikimin e organeve njerëzore. Libri natyrshëm shkaktoi valë tronditjeje në mbarë botën dhe kjo akuzë zuri faqet e para nga Europa në Australi. Pavarësisht faktit, akuzat u mohuan kategorikisht në Kosovë. Pyetja më misterioze e të gjithave ishte: çfarë e ndaloi një prokurore të pushtetshme që punonte me një mandat shumë të fortë i cili ishte dhënë nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të hetuar më tej. Hetimet e saj për çështjen, përfshi dhe në Shqipëri në vitin 2004 kishin dalë me rezultate jo bindëse për të thënë më të paktën, por si vazhduan të mbeteshin këto akuza? Edhe një herë, nuk do të angazhohem në spekulime në përgjigje por pyetjet e ngritura në librin me kujtime të Del Pontes, pa gjejeni, ishin kaq interesante sa tërhoqën vëmendjen e njerëzve të Vladimir Vladimoviç Putinit këtu në këtë Këshill. Një njeri i tillë që quhej Konstantin Kosachev, kreu i delegacionit rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, në vitin 2008 paraqiti një mocion për të gjithë paraardhësit tuaj dhe dëgjoni titullin: “Trajtim çnjerëzor i njerëzve dhe trafikim i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovo”. Kështu e quajnë pushtuesit Kosovo. Kosachevi vetë, një parlamentar që përfaqësonte partinë Rusia e Bashkuar, partia e Putinit për ata që nuk e njohin, u përballë më vonë me sanksione nga SHBA dhe nga BE. Natyrisht jo për ndonjë vepër të mirë, por ndërkohë që ky njeri ra, puna e tij mbeti dhe vazhdoi përmes Këshillit të Europës dhe jo vetëm vazhdoi, por u ngrit në një nivel më tej.'- tha Rama.

edi rama

Sondazh

Poll