Aktualitet

Qeveria zgjat gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike deri në 30 qershor

Qeveria ka vendosur të shtyjë gjendjen e emergjencës për furnizimin me energji elektrike.

10 Tetor 2022, 16:44 Nga A.B
Qeveria zgjat gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike deri
Energji

TIRANË-Qeveria shqiptare ka zgjatur gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike deri në 30 qershor 2023. Vendimi i cili hyn në fuqi ditën e sotme, sapo është bërë publik në fletoren zyrtare. Gjendja e emergjencës ishte parashikuar që të përfundonte në 31 dhjetor 2022.

VENDIMI I QEVERISË:

V E N D I M PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.584, DATË 8.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE”, TË NDRYSHUAR Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, shkronja “ç”, e 5, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin të Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.584, datë 8.10.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1.Vendosjen e detyrimit të shërbimit publik ndaj prodhuesve me përparësi të energjisë elektrike, që kanë kontratë me shoqërinë “Furnizuesi i tregut të lirë”, sh.a. Këtyre prodhuesve me përparësi i vendoset detyrimi i shërbimit publik për shitjen e energjisë elektrike te shoqëria “Furnizuesi i tregut të lirë”, në përputhje me çmimin e përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë, në bazë të metodologjisë së miratuar me vendimin nr.687, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi”, i ndryshuar, gjatë periudhës së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.”. Në pikën 5, fjalët “… 31 dhjetor 2022.” zëvendësohen me “… 30 qershor 2023.”. Në pikën 6, pas fjalëve “… “OSHEE Group”, sh.a., …” shtohen “… FTL, sh.a., dhe ERE …”. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Në fillim, Qeveria e shpalli gjendjen e emergjencës në 8 tetor të vitit të kaluar. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, qeveria vendosi që ta shtyjë deri më 31 dhjetor 2022, deri në vendimin e sotëm, i cili e shtyn në muajin Qershor të vitit të ardhshëm.

vkm 10 tetor 2022 energjia elektrike

Sondazh

Poll