Aktualitet

U shua në moshën 89-vjeçare, nesër homazhe në hollin e TOB në nder të piktorit të shquar Sali Shijaku

Shumë miq, qytetarë dhe dashamirës të artit të tij unik dhe të veçantë do të kenë mundësi që nesër të nderojnë artistin e talentuar Sali Shijaku.

24 Shtator 2022, 11:10 Nga e.k
U shua në moshën 89-vjeçare, nesër homazhe në hollin
Sali Shijaku

TIRANË- Homazhet në nder të piktorit të shquar Sali Shijaku do të zhvillohen ditën e nesërme nga ora 10:00 e paraditës deri në orën 12:00 në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit. 

Shumë miq, qytetarë dhe dashamirës të artit të tij unik dhe të veçantë do të kenë mundësi që nesër të nderojnë artistin e talentuar Sali Shijaku.

Por kush ishte artisti Sali Shijaku? 

Shijaku ishte nderuar me titullin "Piktor i Popullit" dhe "Artist i Merituar". Ai ishte piktor kolorist dhe krijues i kompozimeve njëfigurëshe. Ai lindi në Tiranë në një familje tregtarësh të vegjël. Pasi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”,  vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve “I.E.Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg gjatë viteve 1956-‘61). Tabloja e njohur si "Heronjtë e Vigut" është edhe diploma e tij si student.  Shijaku ishte pjesë e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, nga historia, nga legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës.

Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa Çmime Republike (1956, 1970, 1984, 1989). Në vitin 1969 ai mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”. Më 2004-ën ai u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”. Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime (penë, karbon dhe flamastër), 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi. Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

sali shijaku

Sondazh

Poll