Politike

Manastirliu: Duke nisur nga 1 tetori, do dyfishohet ndihma ekonomike për familjet në nevojë

Vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave i bëri publike ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila dha detaje për mediat e pranishme. 

22 Shtator 2022, 09:33 Nga k.m.
Manastirliu: Duke nisur nga 1 tetori, do dyfishohet ndihma ekonomike për
Ogerta Manastirliu

TIRANË- Duke filluar nga 1 tetori do të dyfishohet ndihma ekonomike për gratë kryefamiljare që kanë dy fëmijë, nga ku do të përfitojnë 5700 gra. Po ashtu, paketa e ndihmës ekonomike, e prezantuar nga kryeministri Edi Rama, parashikon dyfishim të parave edhe për të moshuarit mbi 65-vjeç që nuk përfitojnë pension pleqërie. 

Po ashtu, siç edhe ishte paralajmëruar personat me aftësi të kufizuar, do të mbështeten për kompensimin e energjisë elektrike, pasi do t’u rritet mbështetja nga 2000 lekë me 3000 lekë. Vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave i bëri publike ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila dha detaje për mediat e pranishme. 

“Nga data 1 tetor dyfishojmë masën e pagesës për ndihmën ekonomike për gratë kryefamiljare që kanë dy fëmijë. 5700 gra kryefamiljare që do të përfitojnë dyfishimin e pagesës ekonomike. Për familjet me më shumë tre fëmijë rritja do të fillojë nga 1 janari. Dyfishojmë pagesën e ndihmës ekonomike për të moshuarit që janë pa pension pleqërie, më shumë se 65 vjeç. Janë më shumë se 5300 të moshuar që do të përfitojnë. Mbi 64 mijë familje që do të përfitojnë nga paketa e ndihmës ekonomike. Është një mbështetje që do të vijojë të jepet për një kohë të gjatë. Pas indeksimimit me 7.5% për mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar, një tjetër vendim është marrë nga qeveria për energjinë elektrike për personat të cilat kanë status të aftësisë së kufizuar, të cilëve u rritet masa e mbështetje për kompensimin e energjisë elektrike. Ata që e kanë këtë masë mbështetje nga statusi shkon nga 2 mijë lekë të reja në 3 mijë lekë të reja,”- tha Manastirliu.

Ndërsa më pas ajo u pyet dhe dha një përgjigje edhe për aksionin e nisur nga kryeministria për kullat pa leje që janë ngritur në Tiranë dhe jo vetëm. Për të cilat ende nuk ka një përgjigje, nëse ndërtuesit kanë rënë në një marrëveshje për shtetit. 

PYETJE: Konfiskimi i kateve shtesë, a ka marrëveshje mes qeverisë dhe pronarëve të objekteve?

Manastirliu: Ne nuk kemi ndërhyrë në vendimet e organeve ligjzbatuese. Është vendim që ka për qëllim dekurajimin e lëvizjeve pa leje. Ky është një vendim i qeverisë ka për synim thelbësor dekurajimin e ndërtimeve pa leje në Republikën e Shqipërisë.

ogerta manastirliu

Sondazh

Poll