Aktualitet

Çfarë ndodh nëse hakerat sulmojnë përsëri sistemin TIMS në Rinas? Et’hemaj: Bie kapaciteti

Ai sqaroi se kjo do të thotë që në kontrollin e pasaportave, njerëzit do vonohen 7 herë më shumë.

11 Shtator 2022, 16:40 Nga F.M
Çfarë ndodh nëse hakerat sulmojnë përsëri
Maksim Et’hemaj

TIRANË- Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj tha se nëse hakerat sulmojnë përsëri sistemin TIMS në aeroportin e Rinasit, do ketë maksimalisht 7 herë më pak kapacitete. Në një intervistë për “Euronews Albania”, Et’hemaj sqaroi se kjo do të thotë që në kontrollin e pasaportave, njerëzit do vonohen 7 herë më shumë dhe do të kenë 7 herë më shumë mundësi që ata të humbasin fluturimin.

“Çdo lloj aktiviteti që kryejmë, e kryejmë me pyetjen çfarë ndodh nëse? Çfarë ndodh nëse hakerat sulmojnë përsëri sistemin TIMS, çfarë ndodh nëse sistemi i aeroportit hakërohet. Nëse hakerat sulmojnë sërish sistemin TIMS, kapaciteti do bjerë, 7 herë, 5 herë apo 3 herë, kjo varet sesa është sulmi. Por them, maksimalisht 7 herë më pak kapacitete. Kjo do të thotë që në kontrollin e pasaportave, do i vonojmë njerëzit 7 herë më shumë. Vonimi 7 herë më shumë tregon që ka 7 herë më shumë mundësi që ata të humbasin avionin. Si zgjidhet kjo? Duke njoftuar në kohë njerëzit që të vijnë në aeroport më shpejt. Të gjitha sistemet janë me plan manual. Tani po i afrohemi implementimit të plotë të sistemit të check in-it online. Nëse bie sistemi i aeroportit, impakti do jetë minimal,”- deklaroi Et’hemaj.

Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit kanë konfirmuar se sistemi TIMS në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” është rikthyer totalisht në funksion gjatë mëngjesit të sotëm, pas punës që kanë kryer ekspertët e IT-së, së bashku me aleatët.

Vendi ynë prej dy ditësh ka rënë pre e sulmeve. Pikat kufitare ranë pre e një sulmi kibernetik pas të cilit sipas qeverisë fshihet sërish Irani. Nga ora 20:00 e mbrëmjes së 9 shtatorit u raportuan probleme në sistemin TIMS në pikën kufitare të Kapshticës, ndërkohë më vonë u raportua për probleme dhe në pikën kufitare të Kakavijës dhe Rinasit. Dosja.al arriti të siguronte mesazhin e dërguar në kompjuterët e policëve në pikat e kalimit kufitar, ku ishte shkruar "Shqipëria po vuan dhe do të vuajë ende përkrahjen që i ka dhënë iranienëve të MEK". Dje, kryeministri Edi Rama akuzoi Iranin se fshihet pas këtij sulmi, ndërsa MB paralajmëroi se po punonte për ndaljen e sulmit.

maksim et’hemaj irani sulmon shqiperine

Sondazh

Poll