Bota

Truss merr "bekimin" e mbretëreshës, gati kabineti qeveritar, kush është ekipi i saj me diversitet racor

Emërimet kryesore të kabinetit pritet të bëhen më vonë të martën me rolet e rinj që do të vijojnë gjatë ditëve në vijim. Truss pritet të emërojë një kabinet besnikësh, duke përfshirë Kwasi Kwarteng si kancelar, James Cleverly si sekretar të jashtëm dhe Suella Braverman si sekretare të brendshme.

6 Shtator 2022, 16:11 Nga d.a.
Truss merr "bekimin" e mbretëreshës, gati kabineti
Truss

BRITANI- Liz Truss është bërë kryeministrja e re e Mbretërisë së Bashkuar pas takimit me Mbretëreshën në Balmoral, ku asaj iu kërkua të formonte një qeveri pas dorëheqjes së Boris Johnson.

Sipas Guardian, Emërimet kryesore të kabinetit pritet të bëhen më vonë të martën me rolet e rinj që do të vijojnë gjatë ditëve në vijim. Truss pritet të emërojë një kabinet besnikësh, duke përfshirë Kwasi Kwarteng si kancelar, James Cleverly si sekretar të jashtëm dhe Suella Braverman si sekretare të brendshme.

Emërimet e tjera kyçe pritet të përfshijnë Therese Coffey si sekretare shëndetësore, por nuk do të ketë asnjë rol për rivalin e saj të mposhtur në lidership, Rishi Sunak.

Për herë të parë në historinë e Britanisë tre ministra që pritet të emërohen në postet kyçe nuk do të jenë të bardhë, siç raportohet nga shtypi britanik. Të paktën tre nga 11 ministrat e cilësuar si favorit për qeverinë e re konservatore i kanë rrënjët në Afrikë dhe Azi.

I vetmi nga qeveria Johnson që pritet të mbetet në postin e tij është ministri i Mbrojtjes, Ben Wallace, sipas gazetës britanike “Daily Mail”. Ministrat e Financave, të Punëve të Jashtme dhe të Brendshme do të kenë origjinë nga kontinenti “i zi” dhe aziatik.

James Cleverly pritet të marrë përsipër Ministrinë e Jashtme, Suella Braverman Ministrinë e Brendshme dhe Kwasi Kwarteng Thesarin, duke zëvendësuar Rishi Sunak me origjinë indiane, i cili ishte rivali kryesor i Truss për udhëheqjen konservatore. Kwasi Kwarteng do të bëhet kancelari i parë me ngjyrë i Thesarit në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë, një sondazh i vitit 2018 nga Universiteti Queen Mary i Londrës tregon se 160,000 anëtarët e partisë Konservatore janë 97% të bardhë , ndërsa e njëjta gjë është e vërtetë për Laburistët dhe Demokratët Lib, me 96% të anëtarëve të tyre që i përkasin racës së bardhë.

Truss, 47 vjeç, është kryeministrja e 56-të e Mbretërisë së Bashkuar dhe udhëheqësja e tretë femër. Ajo pritet të kthehet menjëherë në Downing Street dhe do t'i japë një fjalim kombit rreth orës 16:00, përpara se të fillojë të emërojë kabinetin e saj.

mbreteresha elizabet liz truss james cleverly suella braverman

Sondazh

Poll