Bota

Qindra ton peshq të ngordhur në lumin Oder, thellohet misteri në kufirin polako-gjerman

Qindra tonë peshq mendohet të kenë ngordhur në lumin Oder, në kufirin midis Gjermanisë dhe Polonisë. Kjo ka ndodhur për shkak se dikush ka ndotur ujin me një substancë që duket se ka shkaktuar nivele të larta të kripës.

27 Gusht 2022, 14:57 Nga s.s
Qindra ton peshq të ngordhur në lumin Oder, thellohet misteri në
Qindra ton peshq të ngordhur në lumin Oder

GJERMANI- Qindra ton peshq mendohet të kenë ngordhur në lumin Oder, në kufirin midis Gjermanisë dhe Polonisë. Autoritetet lokale kanë paralajmëruar banorët të mos kenë kontakte me ujin. Disa peshkatarë nxirrnin peshq të ngordhur duke përdorur si mjet kovat nga një varkë dhe i vendosnin kufomat në një pëlhurë të gomuar të shtrirë në breg të lumit. Ata e kishin bërë këtë për tetë ditë pranë qytetit të Szczecin, me fytyra të maskuara kundër erës së keqe. "Thjeshtë ndihem i mpirë tani”, tha një punëtor i trishtuar.

Lumi formon një kufi midis Polonisë dhe Gjermanisë, por pavarësisht javëve të hetimit, ekspertët nga të dy vendet nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Shkencëtarët dyshojnë se dikush e ka ndotur ujin me një substancë që duket se ka shkaktuar nivele të larta të kripës. Kjo bëri që algat të gjenin terren dhe të lulëzonin. Sipas ekspertëve toksinat që ka lëshuar substanca kanë shkaktuar ngordhjen e peshqëve duke ndotur më pas ujin. Një reaksion zinxhir vdekjeprurës kimik, i cili, sipas tyre, mund të jetë përkeqësuar nga  verë e nxehtë dhe nivelet e ulëta të lumenjve.

“Shkalla e kësaj fatkeqësie ekologjike është e paprecedentë në Poloni. Është një katastrofë. Ne kurrë nuk kemi gjetur kaq shumë krijesa të ngordhura, kaq shumë peshq të ngordhur, molusqe apo kërmij. Është hera e parë që ndodh dhe është një paralajmërim serioz", tha një ekspert nga Instituti i Peshkimit, Andrzej Kapusta.

Policia ka intervistuar më shumë se 200 dëshmitarë dhe ka hetuar 12 vende.  Ata kanë ofruar madje një shpërblim prej më shumë se 200 mijë eurosh për këdo që jep informacion që do të çojë në arrestimin e autorit. Peshkatarët me të cilët policët kanë folur pranë Gliwice, deklaruan se kishin parë edhe peshq të ngordhur në mars, shprehën skepticizëm nëse do të kapej personi përgjegjës. “Dikush është përgjegjës, dikush është fajtor, por ndoshta nuk do ta zbulojmë kurrë se kush”, tha njëri prej tyre, raporton BBC.

Hetuesit, megjithatë, kanë zbuluar rreth 300 tuba kanalizimesh të paregjistruara dhe po hetojnë rreth 60 prej tyre në lidhje me ngordhjet e peshqëve. Autoritetet në të dyja anët e Oderit kanë pranuar gabimet në trajtimin e çështjes, raporton abcnews.al. Ekspertët, si Andrzej Kapusta, thanë se është e rëndësishme të rishikohet mënyra se si po menaxhohet lumi. Ata janë të shqetësuar se diçka e tillë mund të ndodhë përsëri veçanërisht në momente kur ende nuk dihet shkaku. “Ne kemi nevojë për një sistem monitorimi të saktë, një monitorim online që do të informojë autoritetet adekuate sa më shpejt. Në rastë të tilla nevojitet një përgjigje më e shpejtë për të parandaluar fatkeqësi të tilla”, tha ai. Do të jetë e vështirë që jeta të rikthehet në Oder, mbase do të kalojnë vite ndoshta dekada, përpara se lumi të kthehet në gjendjen e mëparshme.

gjermani poloni peshq lumi oder

Sondazh

Poll