Bota

"Kjo është një gënjeshtër", parashutisti i nxjerr “të palarat” ushtrisë së Putin: Kur rrethuam Khersonin ngelëm pa bukë e ujë

Ai është anëtari i parë në shërbim i ushtrisë ruse që kritikoi publikisht pushtimin e Ukrainës dhe u largua nga vendi.

23 Gusht 2022, 16:59 Nga e.k
"Kjo është një gënjeshtër", parashutisti i
Pavel Filatyev

RUSI- “Justifikimi i Kremlinit për pushtimin e Ukrainës është një gënjeshtër”. Kështu u shpreh për CNN një parashutist rus, i cili më parë dënoi publikisht luftën e vendit të tij në Ukrainë.

Dy javë më parë, Pavel Filatyev foli kundër konfliktit në një dëshmi prej 141 faqesh të postuar në faqen e tij të medias sociale VKontakte, dhe më pas u largua nga Rusia.

Ai është anëtari i parë në shërbim i ushtrisë ruse që kritikoi publikisht pushtimin e Ukrainës dhe u largua nga vendi.

“Shumë e kuptuan se ne nuk ekziston aryseja të cilën qeveria jonë po përpiqet të na e shpjegojë. Se e gjithë kjo është një gënjeshtër. Ne thjesht po shkatërrojmë jetë paqësore. Ky fakt ndikoi jashtëzakonisht shumë në moralin tonë. Është kjo ndjenja se nuk po bëjmë asgjë të mirë”, u shpreh ai për CNN.

Tani në intervistën e parë për një media Perëndimore, ai thotë se kolegët e tij në ushtri janë të lodhur, të uritur dhe të zhgënjyer, dhe se nxitja për luftë nga Kremlini po “shkatërron jetët paqësore”.

“Ne e kuptuam se ne u tërhoqëm zvarrë në një konflikt serioz ku thjesht po shkatërrojmë qytete dhe në fakt nuk po çlirojmë askënd”, i tha ai.

33-vjeçari gjithashtu tha se korrupsioni dhe represioni janë të përhapura në vendin e tij. Më tej ai shtoi se “njësia e tij, e cila e kishte bazën në Krime dhe u dërgua në Ukrainë duke hyrë në Kherson në fillim të konfliktit ishte e pajisur keq dhe i ishin dhënë pak shpjegime për pushtimin nga Rusia”.

Sipas Filatyev, ushtarët dhe komandantët e tyre nuk e dinin se çfarë prisnin të bënin në Ukrainë. Ai shtoi se ata shpejt u zhgënjyen me arsyetimin e qeverisë për pushtimin e saj pasi mbërritën në Kherson dhe u përballën me rezistencën nga vendasit që nuk donin të “çliroheshin”.

Parashutisti ka shërbyer në regjimentin e 56-të të sulmit ajror të Rusisë dhe ishte gjithashtu i përfshirë në përpjekjet për të kapur qytetin e Mykolaiv.

Ai u evakuua nga vijat e frontit për shkak të një lëndimi dhe tha për CNN se ushtrisë ruse i mungonin pajisjet bazë, si dhe dronët dhe llojet e tjera të avionëve pa pilot gjatë qëndrimit të tij në vijën e frontit.

“Kazermat tona janë rreth 100 vjet të vjetra dhe nuk janë në gjendje të mbajnë të gjithë ushtarakët tanë, të gjitha armët tona janë të kohës së Afganistanit. Disa ditë pasi rrethuam Khersonin, shumë prej nesh nuk kishin ushqim dhe ujë”, rrëfeu ai.

Filatyev u largua nga Rusia pasi kreu disa intervista fillestare në media. Por ai u shpreh se Kremlini mund të hakmerrej për qëndrimet e tij publike,

"Ose do të futem në burg ose thjesht do të më mbyllin gojën. Ka pasur shumë raste të tilla në të kaluarën," tha ai.

pavel filatyev

Sondazh

Poll