Aktualitet

Ndahet nga jeta ish-ministri i Bujqësisë Haxhi Aliko

Haxhi Aliko ka pasur një karrierë të spikatur si në fushën akademike ashtu dhe në atë politike.

18 Gusht 2022, 08:37 Nga A.B
Ndahet nga jeta ish-ministri i Bujqësisë Haxhi Aliko
Haxhi Aliko

TIRANË- Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare, ish ministri i Bujqësisë, pedagogu dhe personaliteti i Shkencave Veterinare në Shqipëri, Haxhi Aliko. Ai ka pasur një karrierë të spikatur si në fushën akademike ashtu dhe në atë politike. 82-vjeçari u zgjodh deputet, e më pas është emëruar ministër i Bujqësisë, në qeverinë e Bashkim Finos në vitin 1997.

Lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Alikos e ka bërë me dije "Mjekësia Veterinare Shqiptare" përmes një postimi në rrjetet sociale. Në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, Aliko punoi 35 vite, duke e filluar si asistent lektor dhe duke vijuar si titullar i lëndës ‘Fiziologjia e Kafshëve Bujqësore’, përgjegjës i Katedrës “Fiziologji-Biokimi” për 16 vjet dhe deri në Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës për 4 vjet.

‘Si pedagog, Prof. Haxhi Aliko ka qenë kompetent i padiskutueshëm në lëndën e fiziologjisë dhe njëherësh tepër metodik e serioz në raport me studentët. Njohuritë e thella, qetësia dhe elokuenca në përçimin e njohurive si dhe formimi i tij kulturor universal, ishin tiparet dalluese që i dhanë atij statusin e një profesori autoritar në mjedisin universitar. Edhe sot e kësaj dite, gjenerata të shumta të studentëve i kujtojnë me nostalgji leksionet e mrekullueshme të Prof. Alikos. Prof. Haxhi Aliko ka shumë vlerësime, tituj e dekorime në jetën e tij dhe është një nga personalitetet me gjurmë të pashlyera në historinë e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare.! I paharruar kujtimi dhe puna e Profesor Haxhi Aliko!’- njofton Mjekësia Veterinare Shqiptare për humbjen e Alikos.

vdes haxhi aliko haxhi aliko

Sondazh

Poll