Ekonomi

Parashikimi i frikshëm për Gjermaninë, ekonomia do ketë tkurrje, 240 mijë vende pune do shkurtohen

Sipas studimit, produkti i brendshëm bruto (PBB) i Gjermanisë pritet të jetë 1.7% më i ulët në vitin 2023, ndërsa vendi do të ketë rreth 240,000 vende pune më pak.

10 Gusht 2022, 10:08 Nga k.m.
Parashikimi i frikshëm për Gjermaninë, ekonomia do ketë
Foto ilustruese

BERLIN- Ekonomia gjermane pritet të humbasë më shumë se 260 miliardë euro (265 miliardë dollarë) në vlerë të shtuar deri në vitin 2030 për shkak të konfliktit në Ukrainë dhe çmimeve të larta të energjisë. Lajmi është konfirmuar duke cituar një studim nga Instituti për Kërkimin e Punësimit (IAB).

Sipas studimit, produkti i brendshëm bruto (PBB) i Gjermanisë pritet të jetë 1.7% më i ulët në vitin 2023, ndërsa vendi do të ketë rreth 240,000 vende pune më pak. Niveli i punësimit parashikohet të qëndrojë në këtë nivel deri në vitin 2026, kur pritet të marrin fund pasojat e krizës aktuale.

Industria e turizmit tashmë e dobësuar nga pandemia Covid-19, pritet të goditet më së shumti pasi fuqia blerëse e konsumatorëve zvogëlohet. Sektorë të tjerë që ka të ngjarë të preken janë industria kimike dhe prodhimi i metaleve, pasi ato varen shumë nga furnizimet me energji.

Studimi vë në dukje se çmimet e energjisë tashmë janë rritur me 160% kundrejt atyre të regjistruara përpara luftës. E nëse këto çmime do të rriten më tej, prodhimi ekonomik i Gjermanisë në vitin 2023 pritet të jetë gati 4% më i ulët se sa do të kishte qenë pa presionet aktuale.

Në fillim të këtij viti, pesë nga qendrat kryesore të kërkimit ekonomik të Gjermanisë publikuan një parashikim të përbashkët në lidhje me efektin e situatës aktuale në PBB-në e vendit. Ata vlerësuan se Gjermania mund të humbasë pak më pak, 220 miliardë euro në PBB, por në një periudhë më të shkurtër kohore – në dy vjet. Ata parashikuan gjithashtu se vendi do të përjetonte shkallën më të lartë të inflacionit në historinë e tij moderne, dhe ndoshta një recesion, nëse Berlini nuk ndryshon qëndrimin e tij ndaj furnizimeve ruse të energjisë./RT

gjermani lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll