Bota

Osmani reagon kundër zgjedhjes së Deliçit në postin e nënkryetarit të Kuvendit serb

Ndryshe, më 2 gusht, deputetët e Kuvendit të Serbisë zgjodhën për kryetar të Kuvendit Vladimir Orliçin nga Partia Përparimtare Serbe.

4 Gusht 2022, 17:36 Nga I.A
Osmani reagon kundër zgjedhjes së Deliçit në postin e
Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar anëtarët e Kuvendit të Serbisë për zgjedhjen e Bozhidar Deliqit në mesin e nënkryetarëve të këtij institucioni. Reagimi i Osmani vjen pasi ajo tha se Deliq ka qenë i përfshirë në luftën në Kosovë. Përmes një postimi në Twitter, Osmani ka tërhequr paralele në mes të Kuvendit të Serbisë dhe Kosovës lidhur me profilin e nënkryetarëve të këtyre institucioneve.

“Në Kosovë shërben si nënkryetare e Kuvendit Saranda Bogujevci, e mbijetuar e një masakre brutale të regjimit gjenocidial të Serbisë”, shkroi Osmani.

Osmani tha se nënkryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Serbisë ishte komandanti i një brigade ushtarësh “që masakruan mijëra kosovarë”.

Më 28 marsit të vitit 1999 në Podujevë, serbët e formacionit “Shkorpionët” vranë 14 persona, nga familjet Bogujevci e Duriçi, në mesin e tyre gra dhe fëmijë. Pesë fëmijë të plagosur rëndë i kanë mbijetuar këtij sulmi, në mesin e të cilëve është edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

Ndryshe, më 2 gusht, deputetët e Kuvendit të Serbisë zgjodhën për kryetar të Kuvendit Vladimir Orliçin nga Partia Përparimtare Serbe. Anëtarët e Kuvendit serb zgjodhën shtatë nënkryetarë, në mesin e të cilëve edhe Bozhidar Deliç nga koalicioni NADA (Shpresa).

Ish-gjenerali ushtarak, Bozhidar Deliç, ishte komandant i një brigade të Ushtrisë Jugosllave gjatë luftës në Kosovë. Ai ishte lider i koalicionit të së djathtës, NADA (Shpresa) para zgjedhjeve në Serbi, që u mbajtën më 3 prill të këtij viti. Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, Bozhidar Deliq ishte komandant i Brigadës së 549 të Ushtrisë Jugosllave.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, që heton krimet e luftës, ka ngritur dy kallëzime penale kundër tij për ato që ata thanë se ishin krime në Kosovë, por asnjë proces penal nuk është nisur kurrë kundër Deliçit. Si dëshmitar mbrojtës, ai u paraqit para Tribunalit të Hagës në gjykimet kundër ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviç, dhe Vladimir Lazareviç, i cili ishte dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Kosovë.

Deliç vazhdimisht ka thënë se nuk do ta dorëzonte në Gjykatën e Hagës Ratko Mlladiçin, të dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë.

Marrë nga REL

vjosa osmani saranda bogujevci bozhidar deliç

Sondazh

Poll