Bota

MPJ i përgjigjet Zaharovës: RMV është shtet sovran që vendimet i merr në mënyrë të pavarur

Në një deklaratë të publikuar në shtyp MPJ thekson se Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet sovran që vendimet e veta i merr në mënyrë të pavarur.

4 Gusht 2022, 08:51 Nga d.a.
MPJ i përgjigjet Zaharovës: RMV është shtet sovran që
foto ilustruese

MAQEDONIA E VERIUT- Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka reaguar pas deklaratave të zëdhënëses së ministrisë së jashtme ruse, Maria Zaharova e cila kritikoi vendimin e RMV për dhurimin e tankeve Ukrainës.

Në një deklaratë të publikuar në shtyp MPJ thekson se Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet sovran që vendimet e veta i merr në mënyrë të pavarur.

“Që në fillim, Maqedonia e Veriut dënoi ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë dhe qëndroi në mbështetje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, dhe mbi të gjitha në mbështetje të paqes, të drejtave të njeriut dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Përkatësisht, deri më tani, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar disa Vendime për ndihmë ushtarako-teknike me të cilat ndihmojmë Ukrainën në mbrojtjen e tërësisë së saj territoriale, e cila është e kërcënuar me ndërhyrje ushtarake. Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarako-politike – Aleancës së NATO-s, qëndron pas vendosmërisë së Aleancës për të qenë garantuese e paqes dhe sigurisë së vendeve anëtare dhe për mbrojtjen e vlerave, lirisë dhe sigurinë e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Rusia e konsideron gabim të madh vendimin e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për t’i dhuruar tanke Ukrainës, ka deklaruar zëdhënësja e ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zaharova. Ajo tha se Maqedonia e Veriut i ka dhënë mbështetje “vazhdimit të aktiviteteve kriminale të regjimit në Kiev”.

Përkundër faktit se, sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për një donacion ‘të padëmshëm’ të pajisjeve të vjetruara, Maqedonia e Veriut si besnike e NATO-s, është përfshirë në dërgimin e armëve në Ukrainë, duke kontribuar kështu në vazhdimin e aktivitetit kriminal të regjimit në Kiev kundër popullatës civile në Donbas”, tha Zaharova.

RMV më 29 korrik bëri të ditur se i ka dhuruar tanke Ukrainës, të cilat, sipas Armatës dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë tanke të gjeneratës së tretë, dhe duke marrë parasysh zhvillimin e teknologjisë, ato konsiderohen jo konkurruese dhe jo kompatibile. Vendi i ka dhuruar më parë Ukrainës pajisje mjekësore dhe ndihma tjera për popullatën civile.

maqedonia i dhuron tanke ukraines maria zaharova

Sondazh

Poll