Aktualitet

Komisioneri Publik ankimon konfirmimin në detyrë të prokurorit Bledar Bejko

Komisioneri Publik shpjegon se në bazë të shqyrtimeve të Komisionit të Pavarur dhe Kualifikimit, paraqiten disa rrethana ligjore, të cilat bëjnë të cenueshëm këtë vendim të KPK-së.

3 Gusht 2022, 16:32 Nga k.m.
Komisioneri Publik ankimon konfirmimin në detyrë të prokurorit
Prokurori Bledar Bejko

TIRANË- Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pasi ngarkoi në detyrë prokurorin Bledar Bejko. Sipas njoftimit të lëshuar, Komisioneri Publik shpjegon se në bazë të shqyrtimeve të Komisionit të Pavarur dhe Kualifikimit, paraqiten disa rrethana ligjore, të cilat bëjnë të cenueshëm këtë vendim të KPK-së.

Prokurori i Durrësit Bledar Bejko u konfirmua të enjten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa në seancën e parë të zhvilluar më 28 mars, Bejko dha shpjegime mbi pretendimin se kishte një balancë negative në shumën 1.8 milionë lekë për një apartament në Tiranë. Bejko e kundërshtoi këtë konstatim, duke kërkuar që analiza financiare të bazohej në deklarimin e vitit 2008 kur ai kishte kryer transaksionin. Në seancën e dytë ai u pyet mbi veprime bankare të kryera nga bashkëshortja për llogari të babait të tij. Bledar Bejko e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2007, ai u transferua në Prokurorinë e Fierit dhe prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Durrësi.

NJOFTIMI I PLOTË:

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 535, datë 26.5.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit, z. Bledar Bejko, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës.

Komisioneri Publik konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 535/2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 535, datë 26.5.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivleresimit, z. Bledar Bejko.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi publikohet në faqen zyrtare të këtij institucioni: Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “ Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

bledar bejko komisioneri publik

Sondazh

Poll