Aktualitet

Vrasja e 7-vjeçares/ Skafi në pronësi të Tases, ish-shefi i komisariatit bashkëpronar i biznesit në Himarë

Skafi ishte në pronësi të Arjan Tases, por ishte regjistruar në emër të Kushit pasi ai, një punonjës policie, me një pagë maksimumi 90 000 lekë për shkak të gradës komisar, nuk mundej që ta justifikonte financiarisht një mjet kaq të shtrenjtë

3 Gusht 2022, 13:59 Nga A.B
Vrasja e 7-vjeçares/ Skafi në pronësi të Tases, ish-shefi
Arjan Tase

VLORË- Arjan Tase, i arrestuar për vrasjen e 7-vjeçares në plazhin e Potamit dëshmoi para grupit hetimor se skafi me të cilën vrau vogëlushen nuk ishte në pronësi të tij, por ishte i djalit të xhaxhait. Mësohet se skafi ishte regjistruar në emër të një personi nga Elbasani të quajtur Adhurim Kushi, mirëpo në QKB rezulton se ky person ka në pronësi një lavazh si edhe një biznes të shitjes së makinave të përdorura. 

'News24' raporton se në fakt, skafi ishte në pronësi të Arjan Tases, por ishte regjistruar në emër të Kushit pasi ai, një punonjës policie, me një pagë maksimumi 90 000 lekë për shkak të gradës komisar, nuk mundej që ta justifikonte financiarisht një mjet kaq të shtrenjtë. Mësohet se Tase është bashkëpronar në biznesin e dhënies me qira të skafeve dhe mjeteve të tjera të lundrimit në zonën e Porto Palermos në Himarë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, reagoi në lidhje me ndalimin e Tases duke shpjeguar rrethanat e ngjarjes së rëndë, por nuk dha detaje mbi pronësinë e skafit apo rrethanat prej të cilave ish-shefi i Policisë së Himarës, e kishte marrë në përdorim. AMP ka sqaruar krimin e kryer nga Tase e deri te procedimet për këtë ngjarje të rëndë. Sipas tyre, Tase ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet. Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë në bord, autori ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, të miturën duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.

SI NDODHI NGJARJA E RËNDË?

Ngjarja e rëndë ndodhi dje (2 gusht) në Plazhin e Potamit në Himarë, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia, u godit për vdekje nga gomonia teksa po lahej në det. E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Drejtuesi i gomones është shefi i policisë në komunitet në Elbasan, Arjan Tase. Ai u shoqërua në polici, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia.

arjan tase vritet femija ne himare

Sondazh

Poll