Aktualitet

"E dinim që në çantë kishte rroba…”/ Doli për të vrarë, zbardhet dëshmia e ish-efektivit të RENEA-s

Një ish-punonjës i Forcave Speciale të Policisë është arrestuar në Tiranë pasi mbante me vete në automjet një armë snajper, e cila mendohet se do përdorej për një vrasje. 

26 Korrik 2022, 16:12 Nga k.m.
"E dinim që në çantë kishte rroba…”/
Remal Rada

TIRANË- Ish-efektivi i repartit RENEA Remal Rada, i cili u arrestua gjatë operacionit të fundit të policisë të koduar me emrin “Double Strike”, kishte lënë detyrën 6 muaj më parë. Pasi kishte lënë detyrën, ishte larguar për në Angli, nga ku ishte kthyer vetëm 4 ditë më parë. Nëpër Tiranë lëvizte me një automjet luksoz me targa angleze, por dje është pikasur nga Policia si person i dyshimtë. 

Burime për Dosja.al bëjnë me dije se ishte Policia Kriminale, ajo që ka vënë re në parkingun e një lokali tek rruga e Elbasanit veprime jo normale të ish-efektivit të RENEA-s. I shoqëruar nga Elton Hithi, një 28-vjeçari nga Laknasi, i dënuar më parë për "vjedhje me dhunë”, ndërsa të dyve u është afruar një person me çantë. Këtë të fundit, pasi kanë diskutuar pak me personin në fjalë, e kanë futur brenda në makinë.

Ata janë larguar më pas në drejtim të rrugës së Elbasanit, ku janë ndaluar nga një postobllok i policisë “Shqiponja”, operacionalja dhe oficerë të komisariatit Nr.1. Brenda në çantë policia gjeti një snajper modern, dhe municionin përkatës. Në momentin që është pyetur nëse ka pasur ndonjë "gjë" në makinë, Remal Rada, fillimisht ka pretenduar para ish-kolegëve të tij se i kishin dhënë rroba për t'i dërguar diku. Por më pas, kur ëshët zbuluar snajperi, ka preferuar të mos flasë në procesverbal. Ndërsa Elton Hithi, ka rrëfyer para policisë se kishte marë çantën nga një person, pa i treguar emri, i cili i ka thënë se janë rroba sportive.

Por në çantën e kuqe, u gjetën sende të paligjshme si snajper dhe municione të kalibrave të ndryshme, ndaj dhe Policia ka nisur kërkimet për të gjetur personin që u dha armët, të cilit askush nuk ua përmend emrin. Të dy të prangosurit kanë vendosur që të heshtin. Por mesa duket kjo nuk është arma e parë që ish-efektivi i RENEA-s, ka në pronësi, pasi edhe në banesë ai mbante armë. Brenda në shtëpi, Policia i ka gjetur një pistoletë pa leje, municione të ndryshme, dylbi, targa automjetesh, simbole të Policisë së Shtetit. Në banesën e tij janë gjetur fishekë të kalibirit 10mm që përdoren për llojin e armës pistoletë “Glock 20”, të cilat përdoren dhe i kanë në dispozicion vetëm forcat speciale. Ato mund të gjenden shumë rrallë në tregun e zi, pasi janë fishekë që kur bien në kontakt me trupin e njeriut hapen në disa pjesë dhe shkaktojnë më shumë dëme tek shënjestra. 

Ky nuk është rasti i parë, që efektivë të RENEA dhe njësive të tjera speciale në repartet e policisë, të arrestuar nga kolegët e tyre si të implikuar në veprimtari kriminale, por ende nuk dihet se për llogari të kujt kishte dalë Rada dje. Po ashtu, ende nuk është zbuluar se cilin do të vriste. 

remal rada operacioni double strike

Sondazh

Poll