Bota

Dorëheqja e Draghit, Italia shkon në zgjedhje të parakohshme më 25 shtator

Zgjedhjet do të mbahen më 25 shtator, kjo pasi presidenti firmosi vendimin për shpërndarjen e Dhomës dhe Senatit, që do të thotë se zgjedhjet duhet të zhvillohen brenda 70 ditëve të ardhshme. 

21 Korrik 2022, 18:44 Nga d.a.
Dorëheqja e Draghit, Italia shkon në zgjedhje të parakohshme
Sergio Mattarella dhe Mario Draghi

ITALI- Kriza politike e pasuar nga dorëheqja e kryeministrit Mario Draghi si dhe shpërndarja e dhomave nga presidenti Sergio Mattarella ka çuar vendin automatikisht në zgjedhje të parakohshme.

Sipas medave italiane, zgjedhjet do të mbahen më 25 shtator, gjë që e ka konfirmuar vetë Draghi, sipas asaj që mësohet, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Palazzo Chigi. Kjo ndodh pasi presidenti firmosi vendimin për shpërndarjen e Dhomës dhe Senatit, që do të thotë se zgjedhjet duhet të zhvillohen brenda 70 ditëve të ardhshme. 

Presidenti italian vlerëson se nuk ka perspektivë për krijimin e një mazhorance të re qeverisëse deri në fund të periudhës aktuale legjislative. Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje se Plani i Rimëkëmbjes duhet të zbatohet brenda afateve kohore të përcaktuara për të luftuar pandeminë e koronavirusit dhe për të përfunduar një sërë procedurash në interes të Italisë.

Draghi dha dorëheqjen e tij pasi lëvizja "5 Yje", partia më e madhe në qeverinë e koalicionit të vendit, tërhoqi mbështetjen e saj në një votim besimi parlamentar mbi një paketë të krijuar për të trajtuar krizën e kostos së jetesës në Itali. Rrjedhimisht edhe kryeministri italian u shpreh gati të largohej nga posti, pasi më parë ishte zotuar se nuk do të drejtonte një qeveri që nuk përfshinte 5-Yjet. Dorëheqja e Draghit megjithatë u refuzua nga presidenti i Italisë Sergio Mattarella, i cili i kërkoi atij të qëndronte dhe të gjente një zgjidhje. Ndërkohë që Draghi ju drejtua sërish senatit më 20 korrik për votbesim ai e kaloi atë por nuk mori mbështetjen e 5 yjeve, gjë që e çoi të ridorëzonte dorëheqjen e tij presidentit të vendit.

dorehiqet mario draghi sergio mattarella

Sondazh

Poll