Bota

Lufta ndaj bandave, El Salvador zgjat gjendjen e jashtëzakonshme dhe për një muaj

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se masat, të cilat lejojnë policinë të arrestojë të dyshuarit pa urdhër, kanë çuar në ndalime arbitrare, por qeveria argumenton se ata e kanë bërë vendin më të sigurt.

20 Korrik 2022, 14:12 Nga d.a.
Lufta ndaj bandave, El Salvador zgjat gjendjen e jashtëzakonshme dhe
El salvador

EL SALVADOR- Qeveria e El Salvadorit ka zgjatur për të katërtën herë gjendjen e jashtëzakonshme të diskutueshme me një muaj tjetër. Masat speciale u shpallën në mars për të luftuar dhunën e shfrenuar të bandave. Që atëherë, 46,000 njerëz janë arrestuar nën dyshimin se i përkasin bandave në vendin me 6.5 milionë banorë.

Sipas BBC, grupet e të drejtave të njeriut thonë se masat, të cilat lejojnë policinë të arrestojë të dyshuarit pa urdhër, kanë çuar në ndalime arbitrare, por qeveria argumenton se ata e kanë bërë vendin më të sigurt. Një grup lokal i të drejtave thotë se dhjetëra njerëz kanë vdekur ndërsa ishin në paraburgim.

Zgjatja kaloi me 67 vota pro dhe 15 kundër në asamblenë legjislative, ku aleatët e presidentit Nayib Bukele janë në shumicë.

Gjendja e jashtëzakonshme u shpall për herë të parë më 27 mars pas një fundjave veçanërisht të dhunshme gjatë së cilës u vranë 87 persona. Fillimisht ishte menduar të zgjaste për 30 ditë, por që atëherë është zgjatur katër herë dhe tani do të jetë në fuqi për një muaj shtesë deri në fund të gushtit.

Sipas masave emergjente, disa të drejta kushtetuese si e drejta për tubim janë kufizuar dhe forcave të sigurisë u është dhënë më shumë liri për të kryer arrestime. Janë shtuar edhe dënimet për anëtarësim në bandë. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se mes të arrestuarve gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ka fëmijë që nuk kanë asnjë lidhje me bandat.

Amnesty International tha se gjendja e jashtëzakonshme kishte minuar të drejtat për mbrojtje, prezumimin e pafajësisë, mjetet juridike efektive dhe aksesin ndaj një gjyqtari të pavarur. Grupi Salvadorian i të drejtave Cristosal tha se kishte dokumentuar 63 raste të personave të arrestuar gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, të cilët kishin vdekur në paraburgim.

Ruth Eleonora López e Cristosal tha se në mesin e atyre që kishin vdekur kishte njerëz me diabet dhe probleme renale, të cilët nuk morën mjekimin e nevojshëm gjatë kohës që ishin në paraburgim. Ligjvënësit në linjë me qeverinë megjithatë vlerësuan gjendjen e jashtëzakonshme të martën.

el salvador shpall gjendjen e jashtezakonshme ruth eleonora lópez caleb navarro

Sondazh

Poll