Aktualitet

Lufta kundër krimit, Nano takohet me zv/ndihmëse Sekretaren Amerikane të Shtetit për çështjet e narkotikëve

Në fokus të takimit ishin mbështetja dhe besimi që agjencitë ligjzbatuese amerikane kanë për Policinë e Shtetit shqiptar, për të punuar bashkërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

18 Korrik 2022, 21:13 Nga I.A
Lufta kundër krimit, Nano takohet me zv/ndihmëse Sekretaren Amerikane
pamje nga takimi

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano është takuar ditën e sotme me Zëvendës Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në SHBA, Ambasadoren Lisa Johnson. Në fokus të takimit ishin mbështetja dhe besimi që agjencitë ligjzbatuese amerikane kanë për Policinë e Shtetit shqiptar, për të punuar bashkërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Nano e ka falënderuar Johnson për mbështetjen e fuqishme që ajo dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese amerikane po i japin Policisë së Shtetit, duke e garantuar se Policia e Shtetit shqiptar tashmë është maksimalisht e angazhuar dhe e vendosur për të punuar ngushtësisht me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Që në marrje të kësaj detyre isha i bindur se sfida të mëdha më prisnin. Dua t’ju siguroj juve dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë, po ashtu dhe qytetarët e vendit tim, se jam shumë i vendosur dhe i bindur se sfidat që kam marrë përsipër janë në interes të qytetarëve dhe në funksion të qëllimit të përbashkët me partnerët, luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mbështetja e partnerëve strategjikë është një motiv shumë i fortë për mua, për të vazhduar i sigurtë krah partnerëve tanë, në përmbushje të misonit në interes të qytetarëve të vendeve tona”, tha Nano.

gledis nano lisa johnson

Sondazh

Poll