Aktualitet

Masakra në Fushë Krujë, Gledis Nano shkon në vendngjarje: Të zbardhet sa më parë

Nano ka monitoruar të gjithë zonën ku dhe ndodhi atentati që la të vrarë Brilant Martinajn, Besmir Hoxhën dhe Diklen Vatën.

17 Korrik 2022, 22:05 Nga I.A
Masakra në Fushë Krujë, Gledis Nano shkon në vendngjarje:
Pamje nga vendngjarja

FUSHË KRUJË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano ka shkuar mbrëmjen e sotme në Fushë krujë ku dhe ndodhi vrasja e tre personave. Nano ka monitoruar të gjithë zonën ku dhe ndodhi atentati që la të vrarë Brilant Martinajn, Besmir Hoxhën dhe Diklen Vatën.

Mësohet se Nano u ka kërkuar efektivëve dhe ekspertëve që po merren me të zbardhur ngjarjen të bëjnë kontroll të të gjithë kontigjenëve kriminalë. Nano po ashtu ka kërkuar një analize të detajuar të fakteve, provave e rrethanave të ngjarjes, mbledhje të kamerave në një territor të gjerë.

Ai gjithashtu ka kërkuar vijimin e krehjes së zonës me dronë dhe forca speciale, përdorimin e  kamerave termike që mundësojnë identifikimin e personave që mund të qarkullojnë gjatë natës pasi mund të jenë fshehur në zonën përreth, grumbullim informacioni në rrugë operative dhe shqyrtim të të gjitha pistave dhe autorëve të mundshëm. Ndërkohë që deri më tani për ngjarjen ka dhjetëra persona të shoqëruar në Fushë Krujë. Personat që janë marrë nga policia janë me precedentë të mëparëshëm penal.

Pasditen e sotme, tre persona janë vrarë në një atentat në mbikalimin e Fushë-Krujës. 4 dyshohet se ishin atentatorët të cilët kanë qenë të maskuar, njëri prej tyre drejtues i mjetit i cili më pas u gjet i djegur tërësisht në fshatin Larushkë. Viktimat janë: Brilant Martinaj, Diklon Vata dhe Besmir Hoxha. Vata doli jashtë mjetit po u ekzekutua me breshëri plumbash, dy të tjerët u dogjën brenda mjetit. Tek makina e autorëve, identike me atë të viktimave, janë gjetur 1 armë automatike MP5 dhe 2 kallashnikovë.

masakra e fushe krujes gledis nano

Sondazh

Poll