Aktualitet

Kokainë në konteinerët me banane në Durrës, SPAK do më shumë kohë, GJKKO merr vendimin

13 Korrik 2022, 11:21 Nga k.m.
Kokainë në konteinerët me banane në Durrës, SPAK do
Foto ilustruese

DURRËS- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dhënë tre muaj afat SPAK që të hetojë trafikun e kokainës të kapur në kontenierët e kompanisë "Alba Exotic Fruit" që sollën banane dhe kokainë në Shqipëri. Afati i shtyrjes së hetimeve është përcaktuar deri më 13 tetor 2022 pasi SPAK thotë se po pret letër-porosi nga Holanda dhe Ekuadori lidhur me trafikun e grupeve kriminale. Ndërsa deri më tani të ndaluar janë dy vëllezërit Eduart Dauti dhe Bajron Gumeni.

SPAK ka dërguar letër porosi në Ekuador e Holandë për kontatet apo lëvizjet e Dautit, Gumenit dhe kontenierëve të tyre. Kësaj firme në harkun kohor 3 vite i janë kapur 6 sasi të ndryshme me kokainë. Dauti u arrestua rreth një muaj më parë për akuzën e trafikut të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Sipas prokurorisë, në kontejnerët me banane që vinin nga Amerika Latine në Portin e Durrësit të porositura nga kompania “Alba Exotic Fruit” u gjetën sasi kokaine në gjashtë raste të ndryshme. 

Herën e fundit që në konteinerët e kompanisë u kap kokainë, ishte shtatori i vitit që lamë pas. 10 kilogramë e 185 gramë kokainë u sekuestruan në një nga konteinerët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, të cilës i janë kapur edhe pesë herë të tjera ngarkesa me drogë. Më 7 shtator 2021, gjithashtu u kapën 7.7 kg kokainë në pjesën fundore te kapakët e motorrëve frigoriferike tek konteinerët e “Alba Exotic Fruit”. Kokaina u gjet e ndarë në pako dhe të ngjitura në një nga kapakët e kontejnerit të kompanisë në fjalë më 29 korrik të këtij viti. Më 23 korrik u sekuestruan 6.5 kilogramë kokainë të fshehura në të njëtën mënyrë. Më 13 korrik u ndalua një kamion me banane në portin e Durrësit brenda të cilit u gjetën 12 kg kokainë, e ardhur nga Ekuadori.

Deri më tani në prangat e Policisë ka përfunduar shoferi i kamionit që kishte shkuar për të marrë dërgesën; Barjon Gumeni, një prej pronarëve të kompanisë “Alba Exotic fruit”, ndërsa në kërkim është shpallur pronari tjetër, Eduart Dauti. Ky i fundit është shprehur për mediat se ndodhej në Francë, por shtoi se do të kthehej në Shqipëri për të sqaruar gjithçka, por nuk dihet vijimësia e çështjes. Në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë e cila u zëvendësua me oriz dhe iu vendos GPS nga autoritetet për ta ndjekur.

eduart dauti bajron gumeni \\

Sondazh

Poll