Politike

Protesta e 7 korrikut/ Meta: Manifestim masiv paqësor, imazhi më i bukur i një shoqërie të gjallë

Protesta e djeshme ishte një manifestim paqësor i organizuar nga opozita dhe aktivistët e shoqërisë civile shqiptare.

8 Korrik 2022, 13:39 Nga A.B
Protesta e 7 korrikut/ Meta: Manifestim masiv paqësor, imazhi më i
Ilir Meta

TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka reaguar një ditë pas përfundimit të protestës së djeshme, të organizuar nga Partia Demokratike. Përmes një reagimi në profilin e tij në 'Facebook', kreu i shtetit thotë se protesta e djeshme ishte një manifestim paqësor i organizuar nga opozita dhe aktivistët e shoqërisë civile shqiptare.

Sipas Metës, “Nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj palëvizshmërisë së organeve të drejtësisë pas megaskandaleve korruptive, që vazhdojnë të zbulohen dhe denoncohen çdo ditë.”

REAGIMI I METËS:

Manifestimi masiv paqësor i organizuar dje në Tiranë nga opozita dhe aktivistët e shoqërisë civile shqiptare ishte imazhi më i bukur i një shoqërie të gjallë dhe një demokracie në veprim. Kauzat e vërteta dhe të drejta, që u ngritën gjatë kësaj proteste, duhet të zgjojnë të gjitha institucionet pa vonesë.Nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj palëvizshmërisë së organeve të drejtësisë pas megaskandaleve korruptive, që vazhdojnë të zbulohen dhe denoncohen çdo ditë. Nuk mund të mbulohet me asnjë fantazi varfëria e skajshme, që po i detyron shqiptarët të mërgojnë plot dëshpërim. Uroj që zëri qytetar të dëgjohet dhe kuptohet si duhet, duke nxitur llogaridhënien në të gjitha nivelet, së bashku me marrjen e përgjegjësive si detyrim ligjor dhe njëkohësisht politik. Përshëndes gjithashtu qëndrimin e vendosur të opozitës shqiptare në mbështetje të nisjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe të forcimit të bashkëpunimit rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Këto mesazhe dhe fryma paqësore që karakterizoi këtë protestë, e bëjnë Shqipërinë më europiane, më demokratike dhe më shpresëdhënëse!

Partia Demokratike zhvilloi ditën e djeshme një protestë masive në Tiranë. Mijëra qytetarë mbushën bulevardin Dëshmorët e Kombit. Protesta nisi në orën 19:00 dhe u mbyll në orën 21:00 me fjalën e vetë kryedemokratit Sali Berisha. Ky i fundit e shpalli armik kryeministrin Edi Rama dhe u betua mbi flamurin kuqezi se nuk do t’ia falte pushtetin dhe votat e vjedhura nga shqiptarët.

ilir meta

Sondazh

Poll