Bota

Takimi 2 ditor/ Rindërtimi i Ukrainës, liderët nga shumë shtete mblidhen sot në Lugano

Në takimin dyditor në Lugano pritet të marrë pjesë edhe kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

4 Korrik 2022, 08:46 Nga A.B
Takimi 2 ditor/ Rindërtimi i Ukrainës, liderët nga shumë
Banesat e rrenuara

ZVICËR- Liderët nga dhjetëra shtete dhe organizata ndërkombëtare do të takohen më 4 korrik në Lugano të Zvicrës, në takimin që ka për qëllim të hartojë një udhërrëfyes për rindërtimin e Ukrainës, teksa Rusia po intensifikon sulmet e saj. Në takimin dyditor në Lugano pritet të marrë pjesë edhe kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili do të marrë pjesë virtualisht në këtë takim, ka paralajmëruar se puna që i pret vetëm në zonat që tashmë i kanë çliruar, është “vërtetë kolosale”.

“Është e nevojshme jo vetëm që të riparojmë gjithçka që pushtuesit kanë shkatërruar, por po ashtu të krijojmë një themel të ri për jetën tonë: të sigurt, modern, të rehatshëm dhe të arritshëm”, tha ai gjatë një adresimi më 3 korrik.

Pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë për ne sot, ne duhet të kujtojmë se na pret e nesërmja”, theksoi Zelensky.

Konferenca ishte planifikuar që të mbahej para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të gjerë më 24 shkurt dhe fillimisht ishte paraparë që në këtë konferencë të diskutohej për reformat në Ukrainë, por më pas qëllimi u ndryshua dhe takimi tani do të përqendrohet në rindërtimin pas luftës.Konferenca pritet të përmbyllet me një deklaratë të përbashkët: Deklaratën e Luganos.

lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll