Bota

Plagosi efektivët në Kosovë? Ish-zyrtari: Polici qëlloi policin, unë s’kam prekur armë me dorë

Lushtaku shton se si vetë, djemtë ose vëllëzërit e tij nuk kanë përdorur armë zjarri kundrejt zyrtarëve policorë. Sipas tij, polici e ka plagos policin.

3 Korrik 2022, 15:32 Nga F.M
Plagosi efektivët në Kosovë? Ish-zyrtari: Polici qëlloi
Nuredin Lushtaku

KOSOVË- Ish-nënkryetari i Skënderajt, Nuredin Lushtaku ka mohuar që ka përdorur armë zjarri në konfliktin e ndodhur një natë më parë në Skënderaj, Kosovë ku mbetën të plagosur dy efektivë policie. Në një prononcim për RTV Dukagjini, Nuredin Lushtaku, ka deklaruar sot se ndodhet në stacionin policor dhe se nuk do të jap detaje deri në përfundim të hetimeve nga policia. Lushtaku shton se si vetë, djemtë ose vëllëzërit e tij nuk kanë përdorur armë zjarri kundrejt zyrtarëve policorë. Sipas tij, polici e ka plagos policin.

“S’është ashtu hiç. Por aksidenti ka ndodhë, ka ndodhë telashja, as nuk e kam plagos unë kë, as nuk e kanë plagos vëllaznia, as djemtë. Polici e ka plagos policin. As nuk kemi përdorë armë na, e them me përgjegjësi të plotë. Mbetet me raportu edhe policia. Unë e kam dhënë deklaratën, unë jam i gatshëm me deklaru çka ka qenë. Polici ua ka drejtu armën vëllaznive, ka ndodhë përleshja. Nuk e di a ka gjujtë me tut kë a me vra, e din ai çka thotë. Unë e kam dhënë deklaratën tem, policin nuk e kemi plagos na. Më vjen keq çfarë ka ndodhë, por kjo është e vërteta, nuk kemi plagos askënd, nuk kemi përdorë armë”, tha Lushtaku.

Policia e Kosovës ka konfirmuar plagosjen e dy zyrtarëve policorë. Njëri polic është plagosur me armë zjarri e tjetri është lënduar me mjete të forta. Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona, ndërsa dy të tjerë ndodhen në arrati, ka konfirmuar policia. Nuk dihet se kush nga personat e përfshirë në konflikt është prangosur. Policët janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa motivi i plagosjes së dyfishtë dyshohet se ka të bëjë me vënien e një gjobe.

nuredin lushtaku plagosen 2 police ne kosove

Sondazh

Poll