Bota

Marrëveshja me Serbinë, Kurti: Kam 1 vit kryeministër, jo 13! Mu desh t'i fusja duart në baltë se aty e çuan Kosovën

Kurti tha privatizimin e energjisë elektrike e ka gjetur aty dhe se nuk e ndryshonte dot aq shpejt.

27 Qershor 2022, 20:52 Nga F.M
Marrëveshja me Serbinë, Kurti: Kam 1 vit kryeministër, jo 13! Mu
Albin Kurti

TIRANË- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka konsideruar si 'bërje pis të duarve' marrëveshjen me Serbinë për energjinë elektrike. I ftuar në "Çim Peka Live", Kurti tha se sipas tij, do të duhej që distribucioni apo shpërndarja në Kosovë duhej të ishte publike, por privatizimin e furnizimit dhe të shpërndarjes e ka gjetur aty dhe nuk e ndryshon dot brenda një viti.

Pjesë nga intervista:

Peka: Është e vërtetë se marrëveshjet që keni trashëguar keni thënë se e dëmtojnë Kosovën, por gjithashtu keni thënë se disa marrëveshje të trashëguara ju nuk do t’i aprovoni. Ndërkohë, vetëm para pak ditësh është firmosur një marrëveshje (në opozitë e kundërshtojnë) ku një kompani në pronësi të Serbisë mori liçensën për të shitur energji në veriun e Kosovës ku faturat nuk janë paguar deri tani siç edhe ju vetë keni thënë. Megjithatë, kur ishit në opozitë deklaronit se energjinë në veri duhet ta inkasojë TEC-i ose qeveria e Kosovës. Me marrëveshjen e firmosur, në fakt, as njëra dhe as tjetra në fakt, por kompania serbe! Nuk është cenim i sovranitetit për të cilin keni folur në atë kohë kru kjo marrëveshje ka qenë në tryezë dhe ju keni qenë kundër?

Kurti: Unë besoj se ajo marrëveshje nuk është e mirë dhe ajo çfarë kemi bërë ne tash është një udhërrëfyes i zbatimit, në të cilën ka afate të zbatuara, të cakt maten me ditë dhe jo me javë apo me muaj apo largqoftë, me vite. Pra, qysh këtë javë që hymë, do të duhej që Elektroseveri ta dorëzojë listën e konsumatorëve tek KEDS-i dhe tek KOSTT-i. Për dëshirën dhe bindjen time, do të duhej që distribucioni apo shpërndarja në Kosovë të jetë pronë e një kompanie private të huaj; do duhej të ishte publike, mirëpo edhe privatizimin e furnizimit dhe të shpërndarjes unë e kam gjetur aty dhe jam 1 vit e tre muaj në qeverisje, jo 13 vjet. Nuk do të mund ta rikthej gjendjen kaq shpejt, por kjo kompani që u licencua nuk do të ketë në pronë asete të shpërndarjes, por vetëm do të kryejë shërbime të furnizimit dhe prandaj ishte e pranueshme për ne dhe brenda 100 ditëve, është Zyra e Rregullatorit të Energjisë ajo që do të bëjë një vlerësim se janë ndjekur hapat me përpikmëri. Pra, licenca është dhënë me kusht. Gjendja në terren ka qenë edhe më e keqe sesa marrëveshja e keqe. Unë po i ritheksoj ato që thashë në Kuvendin e Kosovës se e bëj një pranim minimal të realitetit për maksimumin e ndryshimit të tij.

Peka: Megjithatë, ju e konsideroni marrëveshje jot ë mirë ose marrëveshje të keqe sot dhe jeni i sinqertë në këtë pjesë. Por në kohën kur ishit në opozitë e konsideronit cenim të sovranitetit . Nga cenim i sovranitetit në marrëveshje jo të mirë, është ndryshim i madh zoti Kurti. Gjërat në terren mund të jenë siç thoni ju, por pse e keni kaq të vështirë ta pranoni se po, kam ndryshuar sepse realiteti është ndryshe?

Kurti: E para, për shkak se ajo marrëveshje ka mundur të mos bëhet atëherë. Unë e kam kundërshtuar edhe planin e Ahtisarit. Kosova sot i ka 38 komuna. Unë bashkëbisedoj, takohem me të gjithë kryetarët e komunave, madje edhe të komunave që i kam kundërshtuar. Unë e kam ndërgjegjen e pastër; duart më është dashur t’i fus në baltë, sepse aty e kanë hedhur Kosovën mirëpo ky është realiteti dhe për ta ndryshuar këtë realitet unë nuk mund të sillem sikur nuk ekziston. Në anën tjetër po e ritheksoj, më i keq është realiteti sesa marrëveshja e keqe që e kanë nënshkruar ata dhe në këto rrethana unë kam bërë më të mirën e mundshme dhe jam i bindur që do t’ia dalim, që t’i kthejmë mbrapsht shumë të këqia që janë instaluar dhe përfundimisht, edhe furnizimi, edhe inkasimi, të bëhet edhe në veri të Kosovës sepse për vite e vite të tëra, ne kishim një gjakderdhje financiare atje. Nëse ne do ta kishim bërë ndërprerjen e energjisë elektrike në Mitrovicë, atëherë ata automatikisht do të lidheshin me Serbinë dhe paraprakisht, mbase edhe do të thonin që kemi një krizë humanitare. Besoj se kjo ka qënë rruga më e mirë në situatën që ndodhemi.

albin kurti

Sondazh

Poll